Në dy takime me kryebashkiakët dhe me ministrat e drejtuesit e institucioneve që ligji u njeh të drejtën e mbajtjes së tenderave, Kryeministri Edi Rama ka folur për një paketë të re rregullatore për prokurimin publik, por pa dhënë më shumë detaje mbi përmbajtjen e kësaj pakete.
Drafti është ende në hartim e sipër dhe Gazetasi.al mëson se në të do të reflektohen një sërë rekomandimesh që janë marrë nga institucionet ndërkombëtare dhe propozimet e institucioneve dhe ekspertëve vendas.
Gazeta “Si” mëson se ndryshimi kryesor i ligjit të prokurimeve publike lidhet me afatet dhe shkurtimin e tyre, si për procedurat me operatorët ekonomikë vendas, ashtu edhe për tenderat e hapur ndërkombëtarë me operatorë ekonomikë edhe të huaj.
Një propozim është që afatet e marrjes së ofertave të shkurtohen nga 45 në 30 ditë për procedurat e prokurimit ndërkombëtar dhe nga 23 në 15 ditë për procedurat e tenderimit vendase.
Arsyetimi që jepet në lidhje me këto shkurtime afatesh lidhet me faktin se koha e madhe në dispozicion, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për tenderat jo ndërkombëtarë në disa raste është shfrytëzuar nga operatorët ekonomikë konkurrues për të falsifikuar, apo plotësuar fiktivisht dokumentacionin dhe kriteret e tenderave.
Mes diskutimeve është edhe krijimi i një regjistri me emrat e kompanive që kanë abuzuar me kontratat e fituara dhe ashpërsimin deri në përjashtimin e tyre nga tendera të caktuar.
Synohet gjithashtu që përmes ndryshimeve të reduktohet pjesëmarrja fiktive në garë, ku kompani të caktuara regjistrohen në tender dhe tërhiqet në momentin e dhënies së ofertë, duke lënë realisht në garë vetëm një kompani, që më pas shpallet fituese.
Kjo praktikë është klasifikuar si e dyshimtë në raportet vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të dyja këto institucione hedhin dyshime se tërheqja në këtë fazë të garës në pjesën më të madhe të këtyre tenderave është e planifikuar nën dyshimet e marrëveshjeve të fshehta mes vetë kompanive garuese.
Me ndryshimet që po diskutohen propozohet që kompanitë që tërhiqen deri në 5 herë nga gara pa dhënë ofertë të përjashtohen deri në pesë vite nga e drejta për të marrë pjesë në procedura tenderimi.
Propozimi tjetër është shkurtimi i afateve të ankimimit. Sipas këtij propozimi, afatet e ankimimeve te Agjencia e Prokurimit Publik dhe Komisioni i Prokurimit Publik shkurtohen nga 24 ditë që është aktualisht në vetëm 10 ditë, si për procedurat e mbyllura, ashtu edhe për ato të hapura ndërkombëtare.
Risia tjetër që synohet të përfshihet në këtë ligji është parimi i konfliktit të interesit. Kjo do të thotë se në rastet kur një anëtar i trupës së vlerësimit të ofertave rezulton i lidhur me një kompani pjesëmarrëse në një tender të caktuar, ai përjashtohet nga vendimmarrja për këtë tender./m.j
U ngopen me para edvin narkomani e bandat e tije se bashku me ortakun lyli bashen,tani mendojne te ndryshojne strategjine e plackitjes.