Ylber Pjetërnikaj është zyrtari tjetër, pas Aurora Mullës, i cili ka refuzuar të firmosë tenderin për uniformat në Policinë e Shtetit.
Mësohet se Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Ylber Pjetërnikaj, ka deklaruar para prokurorit se gjatë shqyrtimit të ofertave për tenderin e uniformave në Policinë e Shtetit, konstatoi si problematikë certifikimin e kompanisë së shpallur fituese.
Pjetërnikaj është shprehur se ka pasur problematikë lidhur me certifikatat dhe kualifikimet që duhet të kishte kompania për sasinë e këpucëve.
Për këtë ai kishte vënë në dijeni drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari.
Sipas tij, kjo e fundit e kishte thirrur disa herë në zyrë dhe ishte e interesuar të mbyllte shpejt këtë proces, por z. Pjetërnikaj nuk ka pranuar të firmosë dokumentet e tenderit.
Një tjetër detaj me rëndësi nga dosja hetimore është një shkresë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Velu, i cili kundërshton operatorin ekonomik që fitoi tenderin.
Në shkresën që i ka përcjellë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara më 20 gusht, evidentohej fakti që kishte një mospërputhje të çmimeve me produktet që merrte në dorëzim Policia.
Hetimet ndaj Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara për tenderin e uniformave të policisë nisën nga një denoncim për një tender tjetër abuziv, bërë nga një sipërmarrje, dhe më pas u bashkuan si çështje pas denoncimit të ish-deputetëve të opozitës parlamentare.
Deri më tani janë arrestuar për abuzime të paktën 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë./euronews
/m.j