Mesfushori kosovar, Granit Xhaka, është futur në histori të Bundesligës gjermane, por jo me ndonjë gjë për t’u lavdëruar. Xhaka është bërë lojtari më i ri në histori të Bundesligës gjermane që është ndëshkuar me pesë kartonë të kuq.
Kapiteni i Borussia Moenchengladbachut, Xhaka, të dielën, u ndëshkua me të kuq në minutën e 39-të të ndeshjes që skuadra e tij e fitoi 3:2 ndaj Darmstadtit në kuadër të xhiros së 17-të të Bundesligës gjermane, shkruan Koha Ditore. Ai u përjashtua pas një goditjeje me këmbë që i dha nga prapa futbollistit kundërshtar Peter Niemeyer, e që ishte kundërpërgjigje për një kapje që i bëri ky i fundit pak sekonda më parë. Për Xhakën ishte kartoni i pestë i kuq në Bundesligë dhe këtë e ka arritur me 23 vjet, dy muaj e 23 ditë, duke u futur në histori të elitës gjermane. Në të vërtetë, është hera e parë në elitën gjermane që Xhaka është ndëshkuar drejtpërdrejt me karton të kuq. Dy herë më herët këtë stinor ai është përjashtuar pas dy të verdhëve.