Këtë të martë Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) në bashkëpunim me MASR dhe “UNICEF Albania” kanë organizuar një konferencë kombëtare për të analizuar arritjet, prioritetet dhe sfidat në politikat arsimore në lidhje me zotërimin e kompetencave të të nxënit dhe me zhvillimin profesional të mësuesve.
Në fjalën e saj ministrja, Evis Kushi ndërsa falënderoi mësuesit dhe ekspertët e arsimit për punën dhe solidaritetin e treguar gjatë këtij viti shumë të vështirë për arsimit, foli edhe për plotësimin e mangësive të njohurive të nxënësve përgjatë këtij viti shkollor.
Kushi njoftoi se për vitin e ardhshëm 2021-2022 dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor do të zhvillohet mësim plotësues në të gjitha shkollat.
“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe mangësi në njohuri apo kompetenca të nxënësve. Për këtë arsye, në muajt e fundit kemi punuar intensivisht edhe me ekspertët e MASR dhe ASCAP për të hartuar një strategji se si t’i plotësojmë këto mangësi.
Ne kemi vendosur që për vitin e ardhshëm 2021-2022, dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor, ne do të kemi mësimin plotësues në të gjitha shkollat tona. Ky do të jetë një plan fleksibël në varësi të nevojave specifike që ka çdo shkollë apo zyrë arsimore”, është shprehur ministrja gjatë fjalës së saj.
Më tej, Kushi u shpreh se arsimi është një nga sektorët që po pëson ndryshimet më të mëdha, siç janë ndryshimet në teknologjinë e mësimdhënies, tregun e punës, marrëdhëniet sociale.
“Sfida e përbashkët është që t’u përgjigjemi ndryshimeve që ndodhin në kohën e duhur dhe mekanizmat më efiçiente, dhe gjithmonë duke mos bërë kompromis për cilësinë”, nënvizoi ministrja.
Gjithashtu shtoi se këto ndryshime kërkojnë njerëz që mësojnë gjatë gjithë jetës, që përdorin mirë teknologjinë dhe që zhvillojnë mendimin kritik.
“Për të pasur nxënës të mirë, neve na duhen mësues të aftë. E gjithë sfida dhe puna jonë duhet të fillojë nga zhvillimi, përgatitja dhe përshtatja e mësuesit me ndryshimet e reja”, tha ministrja.
/b.h