Komisioni për ndryshimet statutore (i përbërë nga 9 anëtarë) ka tre javë që është ngritur në PD, por vetëm të enjten, (dy ditë para Kuvendit) kryesia e partisë më të madhe në opozitë do t’i marrë në shqyrtim propozimet e saj.
Më saktë, propozimet e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që formalisht i ka depozituar pranë këtij komisioni për mendim.
Lulzim Basha bën me dije në një dosje 15 faqesh se ka propozuar 11 ndryshime në statutin aktual të partisë me qëllim zgjerimin e konceptit të demokracisë së brendshme në parti.
Megjithatë, nisur nga një vëzhgim i Gazeta “Si” për çdo ndryshim të propozuar nga ai, vihet re se në gjithë atë paketë ndryshimesh, Basha ka forcuar kompetencat në parti duke kaluar nga dora e tij deri edhe lista e këshilltarëve bashkiakë të PD-së.
Gjithçka në funksionimin dhe kontrollin e partisë në qendër dhe degë do të kalojë përmes emërimit të njerëzve nga vetë ai.
Për herë të parë Basha propozon gjithashtu që rregullat për ruajtjen dhe përdorimin e vulës së partisë të përcaktohen me urdhër të tij dhe jo më me vendim të kryesisë së partisë
Kryesia e PD nuk do të miratojë më me udhëzim as rregullat për realizimin e procedurës së përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave për Kuvendin e Shqipërisë. Kandidaturat do të përzgjidhen dhe seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së (siç është edhe në statutin aktual), porse pas këtij procesi nuk futet më në lojë kryesia për udhëzime, por direkt kryetari i partisë i cili i propozon listën Kryesisë së PD që vendos listën përfundimtare të kandidaturave elektorale dhe më pas i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar.
Në propozimet për ndryshimet në statut, Basha ka saktësuar edhe një tjetër pikë kompetence për të.
Pas konsultimit me anëtarësinë, kandidaturat për organet ekzekutive të pushtetit vendor do të propozohen nga kryetari i partisë caktohet nga kryesia dhe lista më pas do miratohet nga Këshilli Kombëtar
Përjashtimisht për bashkitë qendër qarku lista e këshilltarëve propozohet nga kryesia e degës dhe nuk do të miratohet më nga kryesia sipas statutit aktual por nga kryetari i partisë.
Basha ka shtuar si strukture vendore të partisë edhe Këshillin Koordinues të Qarkut, që drejtohet nga Drejtues Politik i Qarkut, që do të emërohet nga vetë ai.
Në përbërje të Këshillit do të jetë kryetari dhe sekretari i degës deputetët, si dhe koordinatorët përgjegjës për detyra specifike që edhe këta të fundit do të emërohen nga kryetari i partisë me propozim të drejtuesit të qarkut.
Këshilli duhet të mblidhet një herë në muaj dhe duhet të raportojë tek Sekretari i Përgjithshëm çdo tre muaj
Koordinimi i veprimtarive politike dhe organizatave të degëve të PD-së në nivel qarku si dhe rregullat për drejtimin organizimin dhe zhvillimin e fushatave elektorale për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore do të përcaktohen rast pas rasti po me udhëzim të kryetarit të partisë.
Basha do të ketë gjithashtu të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime konkrete Kuvendit Kombëtar (ashtu si edhe kryesia dhe Këshilli Kombëtar) për çështje që janë në kompetence të Kuvendit përveç rasteve që statuti parashikon ndryshe.
Ndryshe nga statuti aktual, kryetari i partisë do të ketë gjithashtu të drejtën që t’i propozojë Kuvendit Kombëtar listën e kandidatëve për Këshill Kombëtar
Me mbledhjen më të parë të Këshillit të ri Kombëtar, Bujar Nishani, kryetar aktual i Këshillit nuk do të jetë më i tillë.
Lulzim Basha ka propozuar që Këshilli Kombëtar të drejtohet nga kryetari i këshillit që zgjidhet në mbledhjen e parë të konstituimit të këtij këshilli mes të paktën dy kandidaturave alternative. Statuti aktual nuk i përfshin kandidaturat alternative dhe kishte të përcaktuar mandatin e kryetarit të Këshillit
Ndryshe nga statuti aktual, Basha ka hequr pikën ku një nga nënkryetarët aktuale të partisë të jetë automatikisht edhe kryetari i grupit.
Ndërkohë Basha nuk ka prekur nenin për kryetarin e partisë ku flitet vetëm për mënyrën e zgjedhjes por jo për mandatin e tij./N.P
/m.j