Sali Berisha nuk po e kapërdin lehtë faktin se SHBA e shpalli person “non grata” familjarisht për korrupsion të lartë, për favorizim të familjes e bashkëpunëtorëve të tij në korrupsion dhe minim të demokracisë në Shqipëri.
E ka firmosur vetë sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit Antony Glinken të shoqëruar dhe me një material sqarues shterrues me të gjitha argumentet se përse është ndërmarrë një vendim i tillë, për njeriun më të fortë të PD që ka qeverisur me dorë të hekurt ketë parti por dhe vendin në këto 30 vite.
Duke qënë se tashmë goditja e fortë politike është bërë dhe nuk mund të zhbëhet as me lajme se do të ngrejë padi ndaj SHBA në një gjykatë të Parisit dhe as përmes qytearit dixhital, dhe për më tepër që ambasadorja amerikane Yuri Kim nuk ua “vërshëllen” fare, gjithë fluksi i sulmeve është drejtuar tek ambasadori i BE, Luigi Soreca.
Dhe për këtë radhë, sulmi bëhet përmes kreu të shtetit Ilir Meta, i cili sikurse thuhet në lajmet e të gjitha axhanseve, është në radhë për të marrë nga SHBA si “dhuratë” pikërisht vendimin për shpalljen “non grata” në këtë vend.
Berisha është thjeshtë një deputet i zgjedhur, ish kryeministër dhe person “non grata” në SHBA, pas asnjë funksion zyrtar publik që t’i ecnin shkresat me firmë e vulë. Aq më tepër që në krye të PD me letra ka Lulzim Bashën, një politikan ambig, i cili çfarë thotë sot e mohon nesër dhe për më tepër që në zyrat e ambasadorëve ankohet se ia ka ngushtuar ‘lakun’ shumë Berisha dhe nuk e lejon të veprojë si një kryetar normal partie.
Nuk është sekret të thuhet se kreu i shtetit është njeriu që lëviz të gjitha fijet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, një kauzë e lënë tashmë pas dore nga vetë Basha, por që del në skenë për nevoja personale herë pas here se herë janë në hall ish kryeministri dhe Presidenti.
Dhe këtë radhë kjo Aleancë është thirrur në ndihmë për të goditur Luigi Sorecën, teksa ka depozituar në SPAK një padi përmes të cilës kërkon zbardhjen e takimit mes ambasadorit të BE dhe kryetares në detyrë të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha një ditë para se kjo gjykatë të shprehej për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Në një prononcim për mediat pas dorëzimit të padisë në SPAK përfaqësuesja ligjore e Aleancës, tha se kërkojnë nga kreu i shtetit Ilir Meta si edhe nga ministrja e Jashtme Xhaçka shpalljen ‘non grata’ në Shqipëri të ambasadorit Soreca.
“Sot u paraqitëm për herë të 12 në SPAK me kallëzime penale përveç 10 kërkesave të ndryshme që kemi bërë. Kallëzimi i sotëm është kundër ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca i cili në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka ushtruar ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e Teatrit.
Nuk kemi ende asnjë informacion si kanë votuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për të gjitha këto veprime ne kemi kërkuar lirim nga detyra të këtij ambasadori, kemi kërkuar shpalljen non grata nga Presidenti të Sorecës në territorin e Presidencës, dhe në të gjithë Shqipërinë nga ministrja Olta Xhaçka.
I kemi kërkuar SPAK që të sekuestrojë telefonat e Sorecës dhe Veliajt, SPAK dhe GJKKO duhet të dalin me qëndrim të prerë, ne jemi të bindur se SPAK përmes hetimeve do na japin të drejtë”, tha përfaqësuesja Aleancës.
Pra, sponsorizohet Aleanca që të kërkojë nga vetë autori i gjithë këtyre sulmeve, Ilir Meta, që ambasadori i BE të shpallet person “non grata”, si i padëshirueshëm në Shqipëri.
Po njerëzit e Metës te Aleanca i kanë kërkuar SPAK sekuestrimin e gjithë pamjeve filmike brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese dhe konfiskimin e bisedave telefonike të Soreca. Pra zbardhjen e tabulateve telefonike të ambasadorit të BE, një situatë e pangjarë jo vetëm në Shqipëri por dhe në vendet me demokraci fillestare.
Konteksti është i qartë: Vënia e Kushtetueses nën presion pasi ka në dorë vendimin për shkarkimin e Ilir Metës, si dhe vënien e ambasadorëve nën presion, për të treguar se nuk është është vetëm SHBA, e ndoshta dhe BE ata që mund të shpallin zyrtarët shqiptarë persona “non grata”, por janë dhe institucionet shqiptare që mund ta bëjnë një gjë të tillë për përfaqësuesit e SHBA dhe të BE.
Një karshillëk i hapur ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe një sinjal që duan të dërgojnë në Bruksel dhe Uashington se Shqipëria është në dorën e “sovranistëve” dhe jo të “jes”-menëve. Një kalkulim politik alla ballkanik, që Gruvskit në Maqedoninë e Veriut nuk i dha asnjë rezultat, dhe sot gjendet në azil politik në Hungari, pas dënimit për korrupsion. Por ish kryeministri dhe Presidenti po tentojnë ta përdorin, me argumentin se Shqipëria është ndryshe.
Për hir të së vërtetës, siç është theksuar gjithnjë, ambasadori i BE e ka takuar kryetaren e Kushtetueses në një takim të planifikuar shumë kohë më parë, përpara se Berishës dhe Metës ti nisnin hallet e mëdha me ndërkombëtarët dhe me sa duket dhe me drejtësinë shqiptare.
Nga ana tjetër dhe SPAK nuk mund të merret me biseda të krerëve të institucioneve shqiptare me ato të huaja, pasi ka një axhendë tjetër përtej thashethemeve politike të ngritura për arsye politike dhe halle personale. Apo për të zhurmuar aksionet e rëndësishme që SPAK ka ndërmarrë ditët e fundit teksa janë arrestuar kreu i bashkisë së Lushnjes dhe zyrtarët e tij si dhe 9 zyrtarë të ministrisë së Brendshme për korrupsion. Çka tregon se këto aksione nuk ndalen tashmë.
Presioni i tanishëm dhe kërkesa për shpalljen ‘non grata’ të ambasadorit të BE në Tiranë Luigi Soreca është një “film” i njohur dhe i parë më herët, me skenar e regji të Berishës dhe Metës.
Berisha u ka shpallur luftë gjithnjë, i ka shpallur “non grata”, ka kërkuar largimin e pakohshëm si e organizuar sulme politike ndaj të gjithë ambasadorëve amerikanë në Shqipëri, pa përjashtim, që nga viti 1996 deri më sot.
Presidenti aktual Ilir Meta iu bashkua Sali Berishës në frontin kundër përfaqësuesve të qeverisë amerikane në Tiranë, në vitin 2010, kur ishte ministër i Jashtëm, në qeverinë e Sali Berishës.
Me porosi të Berishës, Meta iu drejtuar me një letër DASH, duke i kërkuar largimin e parakohshëm nga Shqipëria të ambasadorit të atëhershëm amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, me argumentin se kishte kritikuar qeverinë.
Uidhers kishte mbajtur qëndrime të forta kundër Berishës për Gërdecin, korrupsionin, presionin ndaj drejtësisë, shitjen e detit etj., ndaj Berisha, përmes Metës, kërkoi dëbimin e tij nga Shqipëria.
Meta e mohoi letrën, por ishte përgjigja e DASH ndaj letrës, që nxori zbuluar dyshen Meta-Berisha. Një përgjigje, e cila u botua nga disa media shqiptare, DASH refuzonte kërkesën e Metës për largimin e ambasadorit, duke theksuar se qëndrimet e tij përfaqësonin qeverinë amerikane.
Socialistët në atë kohë në opozitë e kundërshtuan fort këtë skenar të Metës dhe Berishës, ndërsa kërkuan transparencë për arsyet e kësaj kërkese absurde dhe maskarallëkut të radhës që i çonte marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me atë amerikane në zgrip për interesat e tyre personale.
Pjesa tjetër e historisë dihet, Uidhers përfundoi misionin e tij sipas afateve të përcaktuara nga DASH, ndërsa në Shqipëri vijnë ambasadorët e radhës, Aleksandër Arvizu, Donald Lu dhe tashmë Yuri Kim.
Me asnjërin prej tyre Berisha dhe Meta nuk kanë pasur marrëdhënie të mira, pa përjashtuar këtu dhe ish ambasadoren e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ndaj të cilës nuk lanë akuzë e banalitet pa thënë, zyrtarisht dhe përmes kamikazëve dhe mediave afër tyre. Aq sa në vitin 2013, Azviu do ta konsideronte rrëzimin e Berishës nga pushteti po aq të rëndësishëm sa rrëzimin e Ramiz Alisë në vitin 1992.
Ndërsa Reforma në Drejtësi armiqësoi thellë Berishën e Metën me ambasadorin Donald Lu, i cili nuk u tërhoq derisa detyroi 140 deputetët e Kuvendit të votonin, një pjesë me zemër të thyer, reformën në drejtësi.
Skemës për të sulmuar ambasadorët e SHBA e BE iu bashkua dhe ish Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i shpallur dhe ky “non grata” familjarisht nga SHBA dhe që tashmë është i dënuar nga gjykata me 2 vite burg për korrupsion të lartë.
Llalla arriti deri atje sa të dërgonte një letër në DASH, jo pa miratimin e Berishës dhe Metës, ku sulmonte ambasadorin Donal Lu. Madje nëpër studiot televizive, Llalla nuk ngurroi të deklaronte se ambasadorët i kishin kërkuar arrestimin e Metës dhe të Berishës, në mënyrë që vendit t’i hapej rruga për në BE. Ndonëse ambasadorët e mohuan një fakt të tillë.
Në nëntor të vitit 2020, Ilir Meta zbuloi vetë se i kishte nisur një letër Departamentit Amerikan të Shtetit kundër Donald Lu. Nuk u shpjegua më tej nëse letrën kundër Lu, e ngjashme me letrën kundër Uidhers, Meta e kishte nisur kur ishte kryetar Kuvendi apo si President.
“Ka pasur një deklaratë, që ambasadori amerikan, ka kërkuar falje në atë kohë, që minoi funksionimin e KED. Ka ardhur 10 ditë për të më kërkuar falje. Ka pasur një letër nga ana ime për institucionet amerikane, për sjelljen e tij të papërgjegjshme, e në fund fare tha se më gënjyen socialistët”, ka pohuar Meta, duke u mburrur, por duke treguar linjën e sjelljes së tij me ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri.
Pjesa tjetër më pas është vetëm histori. Donald Lu-në nuk e lanë të qetë as në Kirgistan ku ishte ambasador, ndërsa ambasadorja e re Yuri Kim ua preu “drutë shkurt”: Nuk i mori në konsideratë asnjëherë, duke u përqëndruar vetëm në ndihmën amerikane për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, që kanë nisur të funksionojnë normalisht duke dhënë shpresë se pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë në këtë vend do të marrë fund.
As deklaratat e Metës se “do të kapte për veshi amerikanët” apo se “amerikanët do ta qëllojnë me raketa në Malin me Gropa, por që raketa ka dhe Rusia”, s’ndikuan në vendosmërinë e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të ndihmuar ngritjen e funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
Madje dhe rasti kur Ilir Meta shpalli një platformë me 14 pika për reformën në drejtësi, e cila u hodh poshtë nga SHBA-BE, si tentativë për të sabotuar reformën, nuk ndikoi tek partnerët tanë. Disa ditë më pas, ambasadorja Yuri Kim artikuloi një mesazh të fortë teksa tha se “shpresoj të mos ketë asgjë të vërtetë për thashethemet për një marrëveshje në të fshehtë për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme, progresi duhet të vazhdojë”.
Madje dhe kur Ilir Meta u angazhua kundër rikthimit të Ardian Dvoranit, edhe pse kjo çështje nuk ishte kompetencë e tij dhe pretendoi se Yuri Kim e ka telefonuar duke i kërkuar të mos bënte zhurmë, pasi SHBA ‘di ca gjëra’ për të, angazhimi amerikan për drejtësinë e re u shtua akoma më tepër.
Madje dhe kur bëri të fortin duke zbardhur një bisedë të supozuar mes tij dhe ambasadores Kim, duke thënë publikisht se e kishte kërcënuar në telefon, nuk arriti të bindë njeri. “Ajo më merr në telefon dhe më thotë “ti zotëri nesër mos bëj zhurmë po qe se këta e bëjnë kështu”. I them “moj zonjë ne kemi bërë një marrëveshje, se ky nuk është as anëtar i gjykatës së Lartë”. “Po ne dimë disa gjëra për ty”, më thotë mua kjo. Ambasadorja i thotë presidentit që dimë ca gjëra për ty. Çfarë dini për mua i nxirrni i thashë, se unë nuk e shkel Kushtetutën.
Çfarë ke ti për mua dhe çfarë ka Amerika për mua mund ta nxirrni dhe unë këtë vagabond dhe horr nuk e pranoj. Janë i kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë… Nëse ajo dëshiron të dalë në podium të bëjë fushatë me Ramën le të dalë ne do të mbrojmë zgjedhjet. I kam thënë Donld Lu, jo ti por Sekretari i Mbrojtjes që ka raketat bërthamore, edhe për atë nuk dua t’ja di nëse mendoj se kam të drejtë. Çfarë ka Amerika dhe BE për mua ti nxjerrin”, deklaroi Meta publikisht, duke bërë të “fortin”.
Përpos ekspozimit të frikës nga drejtësia, Presidenti s’arriti të bindë askënd se aleati ynë i madh SHBA po vepronte kundër interesit të shqiptarëve me mbështetjen e drejtësisë. Kjo u pa dhe në zgjedhjet e 25 prillit, kur LSI e Ilir Metës pothuajse u rrënua.
Tashmë, sulmi është drejtuar kundër ambasadorit të BE Luigi Soreca, me të gjitha mënyrat, deri dhe goditjen “poshtë brezit” për ta zhvlerësuar në sytë e shqiptarëve, përmes kërkesës për ta shpallur “non grata”.
Po e përdorin si “test” që nesër, nëse drejtësia nis të kërkojë ligjërisht llogari për akuzat që janë adresuar në drejtim të tyre, pjesën më të madhe ia kanë bërë njëri tjetrit publikisht, të nisin me Yuri Kim?! Përballë së cilës sot qëndrojnë urtë. Të presim. Gjithçka varet nga shkalla e hallit që kanë!/M.Nikaj