Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, 32 të rinj përfunduan në Gjykatën e kryeqytetit, pasi u zbuluan me thika në xhepa, apo me doreza metalike, si dhe me shkopinj bejzbolli, të cilët u përdorën prej tyre për sulme fizike ndaj kundërshtarëve.
Në rastin më të mire, zbulimi i tyre ishte rastësor nga patrullat e policies, si rasti i 29-vjeçarit P.L., që po udhëtonte me makinën “Volksvagen” kur dhe iu bë shenjë që të ndalonte. Një kontroll i detajuar policor nxorri nga kroskoti i makinës një dorezë metalike në ngjyrë të zezë dhe pa asnjë lloj mbishkrimi, shkruan në fashikull agjenti që përpiloi shkresën për shkeljen.
Megjithatë, të dhënat e Gjykatës së Tiranës, të dorëzuara Gazetasi.al, tregojnë se me gjykim të përshpejtuar, 22 prej tyre u shpallën fajtorë, ndërsa për njërin nga të dyshuarit, u pushua hetimi, pasi arma, sipas labortorit të policisë shkencore, nuk plotësonte kushtet për t’u klasifikuar si e tillë. Por sakaq, policia deklaron për Gazetasi.al, se ka një rritje shqetësues të shifrave që flasin për grupmosha të reja, pjesa dërrmuese meshkuj, që mbajnë armë të ftohta, të parashikuara sipas nenit 279/2 dhe 279 të Kodit Penal.
Për policinë, në nivel kombëtar dhe përtej kryeqytetit, forcat e rendit përditë konstatojnë grupmosha të reja, që në makina iu gjenden shkopinj bejzbolli, me të cilët kryhen përleshje edhe midis adoleshentëve, dhe më pas doreza grushti dhe me armë të ftoha, të llojit thikë.
Bëhet fjalë për të rinj, nga 18 deri në 30 vjeç, – tha një zyrtar policie, që nuk ishte në gjendje pavarësisht interesimit të Gazetasi.al, që të jepte një shifër se sa është numri i të ndaluarve për një vit në shkallë vendi. Por e sigurt është, shtoi zyrtari i policies, se të gjithë të rinjtë, sapo kapen nga policia me thika (ndërsa fenomenin e shkopave të bejzbollit, Gazetasi.al, e ka ngritur edhe më herët), justifkohen.
Ndryshe nga i riu P.L., shëtitja e të cilit përfundoi me vizitë në polici dhe që tha “nuk kam dijeni për sendin dorezë metalike, pasi makinën ia jap shpesh bashkëmoshatarëve për të dëgjuar muzikë”, të tjerët detajojnë se nuk e dinë që thika është e ndaluar të mbahet.
E bleva thikën on line për zbukurim
Rastet e justifikimit, shkojnë deri tek heqja e fajit, edhe kur autoritetet të konstatojnë në flagrancë si, ai rasti i një të riu që ka blerë një thikë on line dhe ka përfunduar në polici për t’u pyetur, se përse i duhej arma e ftohtë.
F.N., u zbulua, pasi në qendrën Tranzit të Postës Shqiptare në Tiranë, skaneri konstatoi një mjet thikë. Porositësi rezultoi një 24-vjecar, që menjëherë pasi u thirr për t’u pyetur, ngriti supet dhe u justifikua.
“E pashë në internet dhe më pëlqeu, ndaj vendosa që ta blej dhe kryeva pagesën on line”. I riu pretendoi se i mungonte informacioni se mbajtja e një thike apo porositja on line, por që përmbush kushtet për të qenë armë e ftohtë, është krim dhe dënohet.
Jo vetëm kaq, por policia shton se i riu, për të dalë nga përgjegjësia që në fakt nuk shpëtoi dot, ishte se thika ishte e bukur dhe i duhej për dekor.
Ky justifikim, sipas policisë pretendohet nga kushdo që në ambiente publike kapet me armë të ftohtë të llojit thikë apo dorezë grushti, që të dyja të ndaluara.
“Deklarohen se iu mungon informacioni për thikën, e cila ndalohet të mbahet, pasi është armë e ftohtë”, – thotë për Gazetasi.al, oficeri i rendit, që shton se pavarësisht këtij qëndrimi, të shoqëruarit përfundojnë në gjendje arresti dhe më pas shpallen dhe fajtorë.
Por përse me thika në publik?
Z. R., 33 vjeç, u vërejt nga një patrullë “Shqiponja” në rrugën ”Fitnete Rexha”, pranë shkollës komunale.
Të riut, gjatë kontrollit fizik, iu gjet në xhepa një thikë me dorezë metalike, këllëf metalik, me teh të gjatë 18,7 cm dhe gjatësi të përgjithshme 30,5 cm dhe me dorezë të dekoruar.
Ky send është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe është marrë vendim për ekspertimin Teknik në DPSH Tiranë. Por edhe 33-vjeçari nuk i ka befasuar aspak puonjësit e policisë gjatë marrjes në pyetje, të cilët kanë kërkuar informacion se përse e mbante thikën jashtë ambienteve të shtëpisë dhe në ambient të hapur.
“Jam rritur jetim, pasi me kanë vdekur prindërit, jam baba i katër fëmijëve të mitur dhe i vetmi burim të ardhurash është shitja e rrobave të përdorura tek Pazari i Ri. Thikën e bleva tek një i moshuar për faktin se, ishte antike e dekoruar bukur dhe desha ta shes sërish. Nuk e dija që thika në fjalë konsiderohet armë e ftohtë, sepse nëse do ta dija, nuk do e kisha marrë. Mundohem të siguroj jetesën e fëmijëve të mi, duke punuar nga mëngjesi deri në darkë së bashku me bashkëshorten time, unë ndihem i tronditur nga situata ku po gjendem, pasi nuk kam arsye të mbaj armë të ftohtë”, thuhet në dosjen që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al.
E vërteta është krejt tjetër, beson policia, që është e bindur se i riu u armatos me thikë për të parandaluar sherret me kundërshtarët për zaptimin e tregut, si dhe për të parandaluar vjedhjet gjatë rrugës së kthimit për në banesë.
Por policia këmbëngul se një thikë në xhepa, ashtu sikundër dhe një dorezë grushti, plotëson kushtet teknike të armëve të ftohta, të parashikuara nga neni 279/2 të Kodit Penal. Madje në raste të tjera, shtetas të ndryshëm, kanë përfunduar nën akuzë dhe për thika të mëdha që iu janë gjetur në sirtarë.
Një telefonatë e një të afërmi beson policia, dërgoi në komisariat një 27-vjeçar, i cili në shtëpi mbante “një dorezë metalike me ngjyrë nikelato (dyshohet të jetë përforcues grushti), nje shkop shufër metalike me tre hapje, me ngjyrë të zezë, ku në pjesën e fundit ka një gominë (si atë që përdor policia), një shkop gome me ngjyrë të zezë me gjatësi rreth 50 cm (shkop gome që përdor policia), thikë”, – që u klasifikuan si armë të ftohta.
Eksperti kriminalist e përforcoi këtë dyshim paraprak dhe rëndoi pozitën e të riut G.L., që këmbëngul nga ana e tij, se nuk ka mundësi që sendet e bllokuara të jenë armë të ftohta.
Eksperti shkruan në dosjen që disponon Gazetasi.al
“Në funksion të çështjes penale, është kryer ekspertimi teknik i shkopit metalik dhe ka rezultuar se: “Përforcuesja metalike e grushtit me ngjyrë gri, objekt ekspertimi, i ploteson kushtet teknike të armës së ftohtë. Ajo futet në kategorinë e armëve të ftohta dërrmuese-goditëse (pa teh). Gjithashtu, në baze të aktit teknik nr.112 “Shkopi metalik objekt ekspertimi, është i fabrikuar dhe i plotëson kushtet teknike të armëve të ftohta. Ai futet në kategorinë e armëve të ftohta derrmuese-goditëse (pa teh). Shkopi i gomës, objekt ekspertimi, është i fabrikuar dhe i plotëson kushtet teknike të armëve të ftohta. Ai futet në kategorinë e armëve të ftohta dërrmuese-goditëse (pa teh)”.
Përse i mbajnë armët e ftohta
Të mbash një thikë apo dorezë, megjithëse ështe e ndaluar, nuk është më tepër modë sesa një masë paraprake për t’u dënuar më pak, sesa kur mban një armë të llojit pistoletë, – e nis bisedën agjenti i krimeve për GazetaSi.al.
Sipas tij, të rinjtë në qytetet e mëdha, megjithëse justifikohen me padijeni, ata janë të qartë se përse e mbajnë dhe se është e ndaluar. “Së fundmi, po vërejmë përleshje jo më me doreza, apo thika, por me shkopinj bejzbolli, madje edhe të dëmtuarit kur merren në pyetje në spitale, në shumicën e rasteve mohojnë të jenë sulmuar. Frakturat i argumentojnë si aksident dhe përplasje me një makinë”, – këmbëngul agjenti i policisë për zonën e Kamzës, sipas të cilit, ky trend po kthehet në një fenomen të ri krimi mes të rinjve, por kryesisht adoleshentëve.
“Po pija raki, më vodhën dhe më rrahën”
E.D., po konsumonte alkool pranë një pike kaburanti, kur njëri nga personat që i riu insisiston se nuk e njeh, nxorri nga mënga e bluzës një thikë guzhine dhe ia drejtoi. Ai vazhdon me rrëfimin e tij.
“Ndërkohë më doli nga prapa dhe më goditi me një dorëze hekuri tek syri i djathtë dhe po më mbante nga krahët. Personi që ishte me të, më goditi me thikë në kofshën e djathtë, duke më grisur pantallonat dhe me mori një shumë parash që kisha në portofol, si dhe telefonin tip ‘iphone’. Nën kërcënimin e thikës, më detyruan të fshija gjurmët e duarve nga portofoli dhe sendet që ishin brenda tij. Nën ushtrimin e dhunës, me futën në magazinën e lokalit, pas banakut dhe më kërcënonin që të mos bëja kallëzim penal.
Pas rreth gjysëm ore që më mbajtën të mbyllur tek dhoma që ishte pas banakut, vendosën të më lironin me kushtin që të mos bëja kallëzim penal në polici. Përpara se të largoheshin, me goditën përsëri me dorezë metalike pas kokës, duke më thënë se nëse do bëja kallëzim në polici, isha i vdekur. Pas ikjes së tyre, sapo dola në rrugë, në afërsi të Fabrikës së Miellit, pashë një patrullë policore, të cilëve iu drejtova për ndihmë, duke treguar për sa më kishte ndodhur…”, – tregon i riu në komisariat.
I riu në gjendje të dehur, nuk i ndali hapat dhe pavarësisht paralajmërimit, shkoi në polici dhe tregoi sulmin e beftë, pavarësisht se policia beson se ai nuk ishte i sinqertë deri në fund me ta. Edhe në vendin e quajtur “Rinia”, qyteti Vorë, e pikërisht pranë stacionit të autobusëve të fshatit Marikaj, të dyshuarit, pesë të rinj u përleshën me thika e shkopinj . I dëmtuari tha: “Një person me trup të shkurtër dhe pak qeros, më goditi në pjesën e pasme të kokës me një shufër hekuri, si pajisje policore, duke më shkaktuar dëmtime të ndryshme. Përpara këtij veprimi, një person tjetër i shoqëruar me të, ka qenë dhe i dyshuari L.B., i cili me të mbërritur në vendin e ngjarjes, ka nxjerrë një pistoletë dhe ia ka drejtuar viktimës tjetër të veprës penale, B.T., dhe në momentin që po e mbushte, ky i fundit e ka neutralizuar, duke i rënë në pjesën e dorës nga poshtë, duke bërë që arma të shkrepte në ajër”./m.j