Dy muajt e fundit, në Urgjencën e Pediatrisë në QSUT është rritur ndjeshëm numri i pacientëve.
Sipas shefes së këtij shërbimi Numila Kuneshka, fundjava mban ngarkesën më të madhe, ku paraqiten rreth 600 fëmijë. Numrin më të lartë e mbajnë virozat e stinës.
“Në Urgjencën e Pediatrisë shihen një fluks i shtuar. Kryesisht këto dy tre muajt e fundit dhe në fundjavë ku numri shkon deri në 260-280 paraqitje në 24 orë. Në këtë periudhë shikohet se ka një numër të shtuar të fëmijëve që paraqiten me gastroenterite , por gjithashtu edhe me infeksione të rrugëve respiratore”, thotë ajo.
Mjekja shpjegon arsyen pse numri i urgjencave është më i lartë gjatë fundjavës.
“Themi në fundjavë sepse gjatë javës funksionojnë mirë edhe poliklinikat e lagjeve, ndërsa duket se në fundjavë fluksi përqendrohet në spitalin e pediatrisë edhe pse qendrat janë të hapura 3-4 qendra në Tiranë që funksionojnë 24 orë ku fëmijët mund të marrin aty shërbimin e nevojshëm”, sqaron më tej mjekja.
Mjekët në QSUT, u bëjnë apel prindërve që të mos i drejtohen menjëherë urgjencës pediatrike, por të shkojnë fillimisht tek mjeku i familjes. Kjo për të eliminuar fluksin e shtuar që krijohet në fundjavë.
/b.h