Me mijëra pushues i janë drejtuar plazhit të Shëngjinit në Lezhë këtë të shtunë. Temperaturat e larta kanë sjellë dyndje pushuesit në gjithë vijën bregdetare nga Rana e Hedhun e deri në Kune me gjatësi afro 10 kilometra.
“Vij nga Kosova. Më duket shumë bukur, ka shumë gjallëri. Nuk është hera e parë që vij, kam ardhur me familjen”.
Siç shihet në pamje, numri më i lartë i pushuesve janë përqendruar në qendër të Shëngjinit, pranë portit.
Deti i pastër dhe i ngrohtë, rëra kurative, shërbimet e përmirësuara të hotelerisë janë arsyet kryesore që turistët, kryesisht nga Kosova kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën apo pushimet verore në Shëngjin.
“Unë jam nga Kosova, kam marrë pushimet që 1 javë. Uji është i mirë, ka pastërti, mikpritja është e mirë, çmimet janë të mira e të volitshme”, tha një pushes.
“Shumë mirë më duket sivjet, se kam qënë çdo vit. Pastërtia dhe rregulli vërehen, e kam vënë re ndryshimin nga viti në vit. Ka dhe vrojtues plazhi”, shtoi një tjetër.
Ndërkohë për herë të parë këtë vit pushuesit duhet të paguajnë për parkimin e automjeteve. Ky shërbim menaxhohet nga Bashkia e Lezhës dhe pagesa është 50 lek/ora në të gjitha rrugët e zonës bregdetare. (Shqiptarja.com)
/b.h