Sot filloi Samiti tre ditor Botëror për Iranin e Lirë -2021, me pjesëmarrjen e iranianëve e mbështetësve të rezistencës nga mbi 50,000 lokacione në 105 shtete, dhe me praninë e mijëra anëtarëve të Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI) në Ashraf 3 të Shqipërisë.
Në fjalimin e saj ditën e parë të samitit, Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha se instalimi si president [nga Khamenei] i Ebrahim Raisi-t, njërit prej autorëve të masakrës së 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë, ka shënuar disfatën dhe turpin më të madh në historinë e regjimit klerikal. Vetëm frika e regjimit nga kryengritjet dhe disfata politike e liderit suprem mund ta shpjegojë ngritjen e Raisi-t, ekzekutuesit të masakrës së 1988-ës, në këtë post të lartë.
“Vullneti ynë dhe i popullit tonë mund të përmblidhet në këto tre fjalë: liri, demokraci, dhe barazi. Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, i kërkojmë që ta njohë përpjekjen e popullit iranian për ta përmbysur këtë regjim dhe t’i njohë këto tre koncepte. Duam të sjellim përpara drejtësisë liderin suprem të mullahëve, Ali Khamenei, presidentin e tij Ebrahim Raisi, Kryegjyqtarin Gholam-Hossein Mohseni Eje’i, dhe zyrtarët e tjerë përgjegjës për masakrën e 1988-ës, me akuzën e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit. E nxisim Këshillin e Sigurimit të OKB që të bëjë të mundur ndjekjen penale ndërkombëtare të Raisi-t dhe t’i kërkojë atij llogari për krime kundër njerëzimit, si dhe të mos e lejojë praninë e tij në seancën e ardhshme të Asemblesë së Përgjithshme të OKB. Regjimi i mullahëve nuk do ta braktisë kurrë përpjekjen për të zotëruar armë bërthamore, për të eksportuar terrorizmin, dhe për të nxitur luftëra në rajon. Prandaj, duke qenë kërcënimi kryesor ndaj paqes dhe sigurisë, ai duhet t’u nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare sipas Kreut Shtatë të Kartës së OKB”.
Presidentja e zgjedhur e NCRI vuri në dukje se regjimi klerikal gjendet në një rrugë pa krye.
“Një lake drejton pushtetin Ekzekutiv; një ekzekutues dhe torturues famëkeq me emrin Eje’i drejton pushtetin Gjyqësor, dhe një mullah gjakatar ndodhet në majë të të gjithë regjimit. Tani skuadra e kanibalëve është plotësuar. Ky kombinim flet vetë dhe nuk ka nevojë për prova të tjera për të kuptuar se regjimi është në fazën e fundit. Prandaj, në epokën e re, armiqësia midis regjimit dhe shoqërisë iraniane do të intensifikohet më shumë se kurrë më parë, ashtu siç ndodhi edhe me Shahun tashmë të rrëzuar, i cili pati deklaruar regjimin ushtarak duke emëruar Gjeneralin Gholamreza Az’hari si kryeministër, por rezultati i gjithë kësaj qe e kundërta e pritshmërive të tij.
Asetet tona janë rebelimi dhe revolta e ushtrisë së të rinjve që u derdhën nëpër rrugë në nëntor 2019. Dhe fuqia jonë vjen nga një rrjet mbarëkombëtar i Njësive të Rezistencës të cilat kanë punuar pa pushim çdo ditë të vitit, dhe në vitin 2020 e kanë dyfishuar numrin e veprimtarive dhe operacioneve të tyre krahasuar me vitin e mëparshëm, për t’i thyer zinxhirët e represionit. Rezistenca Iraniane mbron me një plan të qartë të drejtën e autonomisë për të gjitha minoritetet etnike të shtypura, brenda kuadrit të unitetit dhe integritetit territorial të Iranit, dhe mban lart flamurin e marrëdhënieve të drejta bazuar në respektin për pavarësinë, sovranitetin kombëtar, dhe për interesat e ndërsjellta me fqinjët e saj dhe me botën”, theksoi Rajavi.
Njëkohësisht me Samitin, mijëra iranianë u grumbulluan në Portën Brandenburg të Berlinit, si dhe në 16 qytete e kryeqytete të tjera, si Paris, Uashington, Londër, Amsterdam, Stokholm, Oslo, Vienë, Romë, dhe Gjenevë. Këto tubime u lidhën drejtpërdrejt me samitin.
Mike Pompeo, Sekretari amerikan i Shtetit deri në vitin 2021, tha se diktatura fetare është në pikën më të brishtë që nga viti 1979 dhe se duhet ta mbështesim popullin iranian me çdo mënyrë të mundshme në luftën e tij për një Iran më të lirë e më demokratik.
“Diktatura fetare është në pikën më të brishtë të saj që nga viti 1979, dhe perspektiva e saj për mbijetesë po vihet në dyshim haptazi nga zyrtarë të brendshëm të regjimit dhe nga njerëzit e pakënaqur e liri-dashësit. Duhet ta mbështesim popullin iranian me çdo mënyrë të mundshme në luftën e tij për një Iran më të lirë e më demokratik. Në fund, populli iranian do të ketë një republikë laike, deomkratike dhe jo-bërthamore”, tha Pompeo.
Dhjetëra senatorë të lartë e anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve nga të dyja partitë, demokratike dhe republikane, duke përfshirë Senatorin Robert Menendez, kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, morën pjesë në këtë samit dhe theksuan mbështetjen e tyre për opozitën iraniane Mujahedeen dhe zonjën Maryam Rajavi për një Iran të Lirë.
I pranishëm ishte edhe Pandeli Majko, ministër dhe ish-kryeministër i Shqipërisë. Ai tha se është i lumtur që është përkrah njerëzve që duan të jenë pjesë e të ardhmes së Iranit.
“Populli iranian e bojkotoi farsën e zgjedhjeve presidenciale. Raisi akuzohet për krime kundër njerëzimit nga organizata ndërkombëtare të të drejtave njerëzore, dhe tani zgjidhet president. Jam i lumtur që sot u qëndroj përkrah njerëzve që duan të jenë pjesë e të ardhmes së Iranit. Me Maryam Rajavi-n ka shpresë që Irani do të marrë vendin që meriton në botë”, tha Majko.
Kreu i PD Lulzim Basha shtoi se “Partia Demokratike e Shqipërisë e ka shprehur qartë pozicionin e saj. Ne kemi një pozicion të fortë kundër tentativave të regjimit iranian për veprime të paligjshme e terroriste në tokën tonë, si dhe kundër përpjekjes së tij të strukturuar për eksportimin e fondamentalizmit në Shqipëri dhe në rajonin tonë.
Ne mbështesim popullin iranian dhe qëllimin e tij për një Iran demokratik e jo-bërthamor. Ne mbështesim dëshirën e popullit iranian për ndryshim dhe e vlerësojmë zonjën Rajavi dhe përpjekjet e saj për t’i ofruar popullit të Iranit perspektivën e një vendi të lirë, laik dhe demokratik“./m.j