Gjykata e Durrësit ka lënë në burg bashkëshortin e 24-vjeçares që u hodh nga ballkoni i banesës së saj në Durrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 korrik në zonën e Kënetës në qytetin bregdetar.
Mësohet se togat e zeza kanë caktuar masën e ‘arrestit me burg’ pa afat për Alfred Gjinin, bashkëshortin e Anisa Gjinit, e cila ndërmori aktin ekstrem të vetëvrasjes pas një debati me 31-vjeçarin.
Bashkëshorti i viktimës u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet se ka shtyrë bashkëshorten drejt vetëvrasjes.
Gjyqtari Petraq Curri e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e Gjinit dhe ka vendosur masë sigurie arrestin me burg pa afat.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së hënës, 6 korrik në qytetin e Durrësit. 24-vjeçarja Anisa Gjini u hodh nga ballkoni i shtëpisë e për pasojë ndërroi jetë.
Në pranga u vendos bashkëshorti i saj me të cilin kishte pasur një konflikt përpara se ajo të hidhej. Sipas fqinjëve të tyre, çifti kanë një fëmijë të vogël djalë, i cili tani mbeti jetim pa nënë.
Ndërkohë mësohet se viktima punonte në një fabrikë këpucësh, kurse bashkëshorti i saj në ndërtim.
Fqinjët thanë se i njihnin ata si një familje pa probleme dhe ngrenë supet kur pyeten se cili mund të jetë shkaku që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë./m.j