Pak orë para votimit për kreun e AMA-s në Kuvend, delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i ka bërë thirrje ligjvënësve ta shtyjnë këtë procedurë bashkë me emërimin e anëtarëve të bordit të këtij autoriteti në muajin shtator, nisur nga akuzat e opozitë se maxhoranca po tenton ta kapë këtë institucion.
Në deklaratë theksohet se kjo është mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht. Delegacioni BE nënvizon se është e rëndësishme që në këtë proces të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s.
“Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë. Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve. Ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.
Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature.
Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht”, thuhet në deklaratë.
Në garë për kreun e AMA-s janë Alketa Dibra dhe Armela Krasniqi, mes akuzave të opozitës se qeveria Rama po favorizon kandidaturën e kësaj të fundit. Kuvendi mblidhet sot në seancën e fundit për këtë legjislaturë. Në muajin shtator pritet të nisë sërish punimet me deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
g.kosovari