Laçi është mundur në ndeshjen e parë në Podgoricë nga vendasit, me rezultatin e ngushtë 0-1. Vendimtare një penallti e dhënë në fillimin e pjesës së dytë, shndërruar në gol nga Vujovic.
Kurbinasit e nisën mirë ndeshjen, me Zarubica që kishte një mundësi të mirë shënimi që në fillim. Më pas Podgorica nis ta marrë veten dhe sheh më shumë nga porta e Sherrit dhe në një moment edhe e vë në provë portierin shkodran.
Lushkja i Laçit tentoi të befasojë nga distanca nga fundi i pjesës së parë, që u mbyll në barazim pa gola. Në fillim të së dytës Sherri pengoi një nga lojtarët vendas dhe për arbitrin nuk kishte dyshime, penallti.
Vujovic mori vrull dhe e çoi topin në rrjetë, edhe pse Sherri e dalloi krahun. Podgorica vendoset mirë dhe Laçi nuk ka qartësinë e duhur. Mazrekaj u mundua disa herë me gjuajtje nga distanca, ndërsa Malota me kokë nuk kishte shënjestren e duhur.
Në shtesë Roganovic shënoi për Laçin, por anësori ngriti flamurin. Në fund fare kurbinasit fituan një penallti dhe portieri vendas ndali Mazrekajn, në një ndeshje me fund dramatik për bardhezinjtë e Duros.
Tani kurbinasit duhet të mendojnë për ndeshjen e kthimit në Elbasan, që duhet ta fitojnë me dy gola për të kaluar në raundin e dytë të Conferencë League.