Kryeministri Edi Rama të martën pasdite organizoi një pritje zyrtare me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, më përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, ministra dhe ish ministra të jashtëm.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se zgjedhja si anëtar i përkohëshm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është padiskutim një sukses i madh, por edhe një arsye e dobishme për të kuptuar se pavarësisht përmasave modeste, në çdo aspekt, Shqipëria mund të bëjë më shumë për veten dhe të tjerët.
“Është një sukses i madh, më i madhi në historinë e diplomacisë shqiptare dhe një arsye për të kuptuar se pavarësisht përmasave modeste të vendit tonë, Shqipëria mund dhe duhet të bëjë më shumë për veten dhe të tjerët, sidomos për rajonin tonë. Kjo arritje është e rëndësishme edhe për Ballkanin Perëndimor.
Pas kryesimit të OSBE-së, ku për hir të së vërtetës lamë një përshtypje shumë të mirë, them se ulja jonë në Këshillin e Sigurimit, rikonfirmon një standard të ri maturie dhe respekti ndërkombëtar për Shqipërinë. Do të doja të falënderoja të gjitha vendet që e mbështetën vendin tonë në këtë stacion ku asgjë nuk ishte e sigurt” tha ai.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të OKB është një arritje domethënëse edhe për Ballkanin Perëndimor, që është ulur në tryezën e përfaqësueses më të madhe në botë vetëm një herë.
“Zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është jo thjesht një sukses i madh, më i madhi për nga përmasat e impaktit në historinë e diplomacisë shqiptare, por edhe një arsye për të kuptuar se Shqipëria mund dhe duhet të bëjë më shumë për veten dhe për tjerët, sidomos për rajonin tonë. Në vendimin e 11 qershorit në asamblenë e përgjithshme domethënia më e madhe ishte marrja e besimit nga 175 vende.
Kjo e Shqipërisë është një arritje domethënëse edhe për Ballkanin Perëndimor, që është ulur në tryezën e përfaqësueses më të madhe në botë vetëm një herë…..
Ky është një mësim inkurajues për të guxuar më shumë, për të besuar e punuar më shumë, që Shqipëria të bëhet më shpejt, ajo që me siguri do të bëhet një ditë. Afrimi i asaj dite është sfida dhe angazhimi ynë. Unë, së bashku me shumicën e zgjedhur, do ta jetojmë këtë sfidë si arsyen kryesore për t’u zgjuar më herët dhe për të fjetur më vonë, për t’u angazhuar më shumë, për të guxuar, besuar e punuar me të gjitha fuqitë tona, që kjo dekadë të bëhet dekada e ngjitjes, ku dielli të shkëlqejë për të gjithë shqiptarët.
Jetojmë në kohëra jo të lehta, që për ne shqiptarët u rënduan nga tërmeti, që i parapriu pandemisë globale, ku dhe ne u përballëm me agresionin frontal të virusit. Edhe mënyra si ja dolëm këtyre ngjarjeve them se është arsye për të guxuar, punuar më shumë. Tërmeti do të jetë jo vetëm një kujtim i së shkuarës, së shpejti, për familjet që humbën shtëpinë. Po ashtu pandemia, që na sprovoi deri në fund, po na provoi se Shqipëria mund të rreshtohet mes atyre që mund të ngjiten lart. Më bëri një vërejtje të bukur e kuptimplotë një mendje e kthjellët “Vlerat që ti i quan evropiane, kur flet për BE, nuk janë vlera ekskluzive të BE, por janë vlera globale”.
Sot Ballkani nuk do të ishte i ndarë, deri dhe për vaksinat kundër vdekjes, nga BE, edhe pse jeton fizikisht i rrethuar nga kufijtë e BE, megjithatë në asnjë mënyrë nuk duhet mohuar se është shumë më mirë të jesh i rrethuar nga kufijtë e BE, se sa nga telat me gjemba, brenda të cilëve ishte i izoluar ky vend, kur u anëtarësua nga Kombet e Bashkuara, dhe u deshën tre dekada për të parë nga vetja aftësinë e të qenit të barabartë në tryezat ndërkombëtare”, tha kryeministri Rama./m.j