Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për 17 të arrestuarit e grupit Avdylaj. Sipas Faxweb, GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për të akuzuarit.
Ata janë pjesë e një prej fraksioneve të ‘Dosjes 339’ që ka të bëjë me laboratorin e drogës në Has. Për 17 pjesëtarë GJKKO ka dhënë në total 126.8 vite burg teksa kujtojmë se laboratori i drogës në Has ka që në tetor të 2018 që është zbuluar.
Dënimi:
- Gjevi Ndoka 8 vjet 8 muaj
- Altin Avdyli 6 vjet 8 muaj
- Esat Mehmeti 10
- Petrit Suljemani 8 vjet 8 muaj
- Sajmir Sulejmani 8
- Hajri Seferi 10 vjet 8 muaj
- Orges Jahoelezi 6 vjet 8 muaj
- Shkëlqim Avdyli 4 vjet 8 muaj
- Mario Zeqiri 4 vjet 8 muaj
- Elton Shehaj 4 vjet 8 muaj
- Ardit Gjyriqi 4 vjet 8 muaj
- Admir Hoxha 12 vjet
- Hekuran Hoxha 10 vjet 8 muaj
- Vehbi Berushi 8
- Anila Shuti 2 vjet – konvertim 25 muaj shërbim prove
- Xhavit Shyti 8 vite
- Flamur Çela 8 vite
HETIMI
Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Sajmir Gjepali dhe shtetasi Hekuran Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has.
Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy shtetasit turq Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë. Admir Hoxha, nga vëzhgimet në terren rezulton se është personi që kishte përgatitur ambientin e kthyer në laborator për prodhimin e lëndës narkotike në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar.
Nga provat e mbledhura në laborator, krahas lëndës së parë ka rezultuar se ishte prodhuar 182.5 kg drogë. Prokuroria mbërrin në përfundim se, të dhënat e përftuara deri më tani tregojnë se lëndët dhe sendet materiale të sekuestruara shërbenin për prodhimin e lëndëve narkotike si ajo e heroinës.
Sipas Prokurorisë, Xhemal Shala, Admir Hoxha dhe dy shtetasit turq, në bashkëpunim mes tyre në formën e një grupi të strukturuar kriminal janë përfshirë në prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Admir Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij turq dhe kosovarë vijojnë te jenë në kërkim nga Policia.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Admir Hoxha rezulton të jetë pronar i hotelit “Ador Resort”, në Rinas. Ky biznes rezulton të jetë regjistruar në vitin 2011, por më 2 tetor të këtij viti mban statusin “i pezulluar”. Sipas dosjes së Prokurorisë, këta persona janë mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e Policisë Gjyqësore, që po merreshin me hetimin e çështjes.