Jane 70% e gjyqtarëve, apo prokurorëve që paraqiten përpara Vettingut, nuk kanë arritur që të sigurojnë vendin e tyre të punës dhe janë larguar nga sistemi i drejtësisë.
Një situatë e papritur, kjo sipas drejtuesit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, te deklaruar ne nje interviste vizion plus.
Pyetje: Rreth 70 përqind e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët paraqiten përpara Vettingut, nuk kanë arritur që të sigurojnë vendin e tyre të punës dhe janë larguar nga sistemi i drejtësisë. Ishte e pritshme kjo situatë në momentin kur u hartua reforma në drejtësi?
Gent Ibrahimi: Pa dyshim që efekti anësor i kësaj ka qenë edhe krijimi i këtyre vakancave të shumta, në një sasi dhe në një nivel të papritur në sistemin e drejtësisë. Po shikojmë një numër të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh, që po e lënë sistemin si rezultat i procedurave të Vettingut. Po i afrohemi një niveli afro 70 përqind të atyre që hynë në procesin e Vettingut, por nuk ia dalin. Kjo është e papritur.
Pyetje: Prurjet nga Shkolla e Magjistraturës duket se nuk plotësojnë dot vendet vakante, ndaj KLP ka propozuar dy ndryshime legjislative konkrete. Cilat janë ato?
Gent Ibrahimi: Konkretisht është fjala për dy ndryshime legjislative. I pari ka të bëjë me përshpejtimin e futjes në sistem të studentëve të Shkollës së Magjistraturës. Në rast se ligji aktual parashikon që një student i Shkollës së Magjistraturës emërohet gjyqtar dhe prokuror në krye të tre viteve, ne propozojmë që kjo periudhë të përshpejtohet, pra të futen në sistem brenda dy viteve dhe viti i tretë të konvertohet në një vit pune. Propozimi i dytë është fakti që ish-anëtarët e Këshillave, në përfundim të mandatit të tyre, të emërohen në sistem.
Ibrahimi ka komentuar për Vizion+ edhe kritikat e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila tha para pak ditësh, që mos të ketë pengesa për Reformën në Drejtësi. Për kreun e KLP-së këto pengesa lidhen me kohën e rezultateve nga institucionet.
Gent Ibrahimi: Ngecje mund të kuptohet fakti që ende nuk po i shikojmë rezultatet e institucioneve të reja të krijuara. Këto efekte janë afatgjata. Për shembull, po të marrësh efektet që sjell Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ato janë profesionalizmi dhe integriteti në sistemin e Prokurorisë, sikurse meritokracia, pra janë efekte afatgjata. Nga ana tjetër, efektet që vijnë nga SPAK janë më të shpejta. Kështu që, unë do të thoja që ka një ngecje, por pa dyshim që ka edhe një padurim nga ana e të gjithëve, përfshirë këtu edhe ambasadoren amerikane Yuri Kim, për sa u takon rezultateve.
I pyetur në lidhje me emërimin e kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, pavarësisht se kjo e fundit nuk i ka mbyllur procedurat me Vettingun, Ibrahimi tha se, pa garë dhe pa meritokraci sistemi kalon në kolaps.
Gent Ibrahimi: Ligji nuk e kërkon që, një prokuror apo një gjyqtar të ketë kaluar Vettingun përpara se të transferohet apo të ngrihet në detyrë. E vetmja gjë që kërkon ligji është që një prokuror të mos emërohet në SPAK, në rast se nuk ka kaluar Vettingun. Ne nuk mund të pezullojmë sistemin e karrierës brenda sistemit të prokurorisë deri në përfundim të procesit të Vettingut, i cili përfundon pas 5 vitesh. Po nuk pati sistem karriere, gara profesionale brenda sistemit vdes, meritokracia vdes dhe i gjithë sistemi kalon në kolaps.
Në fund, Ibrahimi shtoi se prokurorët apo gjyqtarët që duan karrierë në drejtësi, do të përballen me Vetting permanent përgjatë gjithë jetës së tyre profesionale../m.j