Me vendim të komitetin të ekspertëve nga sot, më 1 korrik, lejohet që tifozët shqiptarë të rikthehen në stadium. Autoritet kanë vendosur që impiantet sportive të mbushen në kapacitetin 30% gjashtëmbëdhjetë muaj pas shpërthimit të pandemisë.
Ndeshja e parë që do luhet më tifozët në stadiume është sot finalja e kategorisë superiore për 15-vjeçar në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, ndërsa ky është një lajm mjaft pozitiv në prag të pjesmarrjes së skuadrave shqiptare në kupat e Europës.
Njoftimi i FSHF-së:
Pas thuajse 16 muajsh pa tifozë në stadiume, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 që preku të gjithë botën, Komiteti Teknik i Ekspertëve mori një muaj më parë vendimin që prej 1 korrikut 2021 do të lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% të stadiumit, sipas protokollit të Institutit të Shëndetit Publik.
Kështu, duke filluar nga sot, tifozët mund të jenë të pranishëm në stadiumet shqiptare dhe mund të ndjekin finalen e Kategorisë Superiore U-15 që do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” si edhe finalet e turneut të përfaqësueseve rajonale për grup-moshat U-14 dhe U-13 që do të luhen në stadiumin “Elbasan Arena”.
Gjithashtu, skuadrat shqiptare që marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s, Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, në ndeshjet e kthimit që do të luhen në Shqipëri, do të kenë mundësi të kenë një numër të limituar tifozësh në shkallët e stadiumeve, me 30% të kapacitetit të tij.
Më tej, nga shtatori do të rikthehen emocionet edhe për tifozët kuqezi, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin Kombëtaren nga afër, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e kampionatit Botëror “Katar 2022” ndaj Hungarisë më 5 shtator dhe tre ditë më vonë kundër San Marinos.
/b.h