Më 21 Shkurt të 2021, Avenir Hysaj, një 34-vjeçar shqiptar me profesion murator që jetonte në Bra, Cuneo, u zhduk pa lënë gjurmë. Ishte e diel. Ai kishte shoqëruar prindërit pranë Pocapaglia për pazar dhe do të kthehej për t’i marrë, por nuk shkoi kurrë. Për gjetjen e tij, familja iu drejtua emisionit të Rai 3 “Chi l’ha visto” që u mor me rastin. Më 19 Mars, trupi i tij u gjet në pyll, jo shumë larg nga vendi ku ishte zhdukur. Hetimet zbuluan se bëhej fjalë për vrasje. Shqiptari ishte qëlluar me tre plumba pistolete në kokë.
Mëngjesin e së martës, duket se ngjarja u zbardh. Autoritetet policore në Itali arrestuan dy persona, të dy italianë. Ata janë Nicholas Luppino, 35 vjeç dhe Daniele Savoia, 23 vjeç, të dy nga Bra. Gjithashtu, me urdhër të gjykatës u sekuestruan edhe lokalet e rrjetit Arcobaleno, në rrugën XXIV Maggio, që drejtoheshin nga 35-vjeçari i arrestuar. Hetuesit thonë se pikërisht këtu është vendi ku u ekzekutua shqiptari. Më pas trupi i tij u hodh në pyll nga vrasësit e tij.
Sipas mediave italiane, dy të arrestuarit e kanë mohuar krimin. Por prokuroria thotë se provat janë të pakundërshtueshme, ndonëse motivi i vrasjes nuk bëhet i ditur. Dyshimet janë se anëtarë të familjes Luppino janë eksponentë lokalë të ‘Ndrangheta.
/a.r