Demokratët në fazën finale të analizës së rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit do të bëjnë vlerësimin e strukturave në raportin me objektivat e partisë.
Deputeti i zgjedhur i PD, Ervin Salianji thotë për “Klan News” se analiza nuk do të jetë përjashtuese për ata që nuk arritën rezultatin e pritshëm më 25 Prill, por synohet forcimi i partisë.
“Është një fazë pothuajse përfundimtare për të gjithë elementët që janë përcaktuar në udhëzimin e miratuar nga kryesia e PDSH-së. Analiza nuk bëhet mbi bazë emrash as mbi paragjykimet e nisura për emra konkretë, por bëhet mbi rezultatet konkrete. Në partitë politike të gjithë janë në shërbim të partisë dhe në shërbim të 620 mijë votuesve që kanë votuar PD dhe çdo lëvizje bëhet për t’u përmirësuar”, është shprehur Salianji.
Teksa akuzon PS për vjedhje votash, Salianji thotë se PD do të vijojë betejën e saj kundër qeverisë “Rama” brenda Parlamentit.
“Padiskutim që ne jemi të hapur dhe do të jemi të hapur për të gjithë elementët që PD ka nevojë dhe pas analizës do të merren të gjitha vendimmarrjet e duhura në kongres”, është shprehur ai.
Deputeti i zgjedhur thekson se Kongresi i 17 Korrikut duhet të marrë vendime e duhura për të rritur forcën e PD në çdo hallkë të strukturave të saj.
Raporti i plotë i analizës zgjedhore të 25 Prillit do t’i paraqitet për shqyrtim Kryesisë së Partisë brenda datës 10 Korrik.
Më 1 Shtator Sekretariati Organizativ do të paraqesë në Kryesinë e demokratëve informacion të plotë për gjendjen e strukturave. Analiza e brendshme organizative do të zgjasë deri më 30 Shtator.
/a.r