Nga Adriatik Doçi
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive duhet të publikojë brenda vitit 2021 dosjet e pasurisë për rreth 2600 zyrtarë shqiptarë të niveleve të ndryshme, një kusht ky i vendosur nga Bashkimi Evropian, për plotësimin e të cilit janë angazhuar misionet e SHBA-BE në Tiranë, duke asistuar teknikisht dhe financiarisht institucionin e kontrollit të pasurive në Shqipëri.
Fillimisht, detyrimi për publikimin e deklaratave të pasurive dhe ndryshimin e mënyrës së deklarimit të pasurive, është reflektuar në ndryshimet ligjore në ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë në vitet 2017-2018, pas presionit të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve. Pas miratimit të ndryshimeve ligjore, në vitin 2018, në kuadër të planit të Brukselit “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”, për të goditur korrupsionin dhe pastrimin e parave, SHBA-BE financuan projektin për publikimin e online e të gjitha dosjeve të pasurive online.
Për zbatimin e projektit, USAID dhe Këshilli i Evropës nisën një bashkëpunim intensiv me ILDKP. Inspektorati i Larte nënshkroi një Memorandum me University Research Co. (URC), me mbështetjen financiare të (USAID), për ofrimin e asistencës, ndërkohë që në të njëjtë kohë është vijoi bashkëpunimi me Këshillin e Evropës për sigurimi i pajisjeve (hardware).
Pas tre vitesh, Kuvendi i Shqipërisë kërkon nga ILDKP-ja finalizimin e projektit dhe mundësimin e publikimit të dosjeve të pasurive të pushtetarëve. “Të angazhohet në përputhje me rekomandimet e Progres Raportit të KE-së dhe GRECO-s për përfundimin dhe vënien në funksionalitet të plotë brenda vitit 2021 të sistemit elektronik të deklarimit të interesave privatë që do të kontribuojë drejtpërsëdrejti në forcimin e besueshmërisë të institucionit”, thuhet në këtë rezolutë të miratuar nga Kuvendit, ku përcakton detyrat kryesore për ILDKP-ja për vitin 2021.
Sistemi elektronik i financuar nga SHBA-BE do të ngushtojë hapësirat për abuzime si dhe do të ekspozojë zyrtarët e korruptuar, subjekte deklaruese. Projekti do të mundësojë thjeshtimin e procesit të plotësimit, dorëzimit dhe publikimit të deklaratave të pasurive, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave të deklarimit të pasurive, shmangien e gabimeve, evitimin e ndërhyrjeve të paligjshme në deklaruara dhe publikimin në kohë reale të deklaratave të pasurive. Sistemi i ri do të ndryshojë edhe mënyrën e deklarimit të pasurive, nga dorëzimi i dosjes me zarf të mbyllur në deklarim online. Gjithashtu, media dhe publiku do të kenë akses për t’u njohur me të dhënat rreth pasurive të zyrtarëve të shtetit, duke evituar procedurën e njohjes më deklaratat e pasurive përmes kërkesave drejtuar ILDKP.
Ndërkaq, gjatë gjashtë viteve të fundit, janë kallëzuar në prokurori mbi 500 zyrtarë për fshehje pasurie, mashtrim dhe pastrim parash. Në këtë listë të gjatë, përfshihen ish-ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryetar bashkish, ambasadorë, doganierë, drejtorë të rëndësishëm etj. Vetëm gjatë vitit 2020, 72 zyrtarë të niveleve të ndryshme janë kallëzuar në SPAK dhe në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, për fshehje pasurie, mashtrim me deklaratat e pasurisë dhe për pastrim parash. Në këtë kuadër për vitin 2021, Kuvendi i kërkon ILDKP që të forcojë bashkëpunimin me SPAK për adresimin e dosjeve të fshehjes së pasurive./shqiptarja.com