Ish presidenti Bujar Nishani ka reaguar lidhur me përplasjen me armë në Velipojë ku mbetën të vdekur 4 persona.
Postimi i Nishanit:
Prej 1 ( një) muaji Shqipëria është pushtuar nga krime monstruoze dhe aksidente fatale.
Shqiptarët po përjetojnë panikun dhe ankthin e lajmeve të zeza, të armës që mund të shkrepet pa problem, në rrugë, në hotele, me pushime apo në punë qofsh !
Efektet e përdorimit të alkolit e drogës së pakontrolluar po marrin jetë njerëzish çdo ditë rrugëve tek udhëtojnë në punën e hesapin e tyre !
Përveçse dëshpërimit nga humbja e besimit, pesimizmit prej fatalitetit, fustrimit prej fodullëkut të pushtetit, hidhërimit nga mungesa e shpresës ; këto kohë shqiptarëve po ju mbivendoset me shpejtësi trauma e së keqes, të hidhurës, e panikut dhe deprimimit !
Shqiptarët kanë harruar prej shumë kohësh, të qënit pozitiv, gëzimin si emocion !
Kjo koklavitje ndjeshmërish negativiste nuk është produkt i një, dy apo pesë ngjarjesh sëbashku në një muaj të mbrapshtë por akumulim i një atmosfere që zgjat prej vitesh ku dominon pamundësia, kufizimi, dhuna shtetërore, antiligji, asgjesimi i kodeve të shkruata e të pashkruara, sundimi i të fortit që nuk ka frikë askënd, injorimi i rregullit dhe tallja me lirine e të drejtat e tjetrit, të garantuara veç në letër, Antishteti vetë !
Ky akumulim i së keqes, nga njëra anë ka rritur dëshpërimin e zemërplasjen e qytetarëve të ndershëm e të thjeshtë e nga ana tjetër, ka nxjerrë jashtë binarëve totalisht kontigjentet që përdhosin ligjin e ligji si prek, injorojnë shtetin e shteti ju përkulet, dhunojnë këdo që ju del përpara e askush nuk ka mekanizëm sigurie e garanci !
Akumulimi i së keqes vjen prej modelit ku qytetari nuk ka asnjë vlerë përballë të fortit që ka nën vete shtetin.
Ku ligji është veç letër që del nga sirtari kur “udhëheq?si” do të dënojë dikë që ka dalë prej rrjeshtit.
Ku oportuniteti nuk fitohet prej punës, zotësisë e të drejtës por prej rryshfetit, pazarit, mashtrimit e hilesë.
Ku edhe alternativa e supozuar, akaparohet !
Ky akumulim sot prodhon veç krim, urrejtje, dhunim, egërsi, pasiguri, kërcënim !
Eshtë modeli që e sjell këtë produkt, jo rastësi individësh të çartur prej momentit !
Ky model do të vijojë derisa logjika të dalë mbi pajtimin me të keqen, derisa heshtja të zëvendësohet me reagimin, derisa fataliteti të mundet prej besimit, derisa të lind përsëri shpresa !
Deri atëhere, nga Jugu në Veri duhet bërë plazhi veshur me antiplumb !
/b.h