Kuvendi i kërkon Këshillit të Lartë të Prokurorisë të dalë me deklarata publike në mbrojtje të prokurorëve që vihen në shënjestër të sulmeve për shkak të punës hetimore. Për KLG-në kërkohet të gjejë konsensusin e me Ministrinë e Dreqësisë për riorganizimin e gjykatave.
Ndërkaq, Parlamenti kërkon nga KLP-ja që të dalë me deklarata publike në mbrojtje të prokurorëve të veçantë, të cilët vihen në shënjestër të sulmeve për shkak të punës së tyre, konkretisht për shkak të çështjeve që hetojnë. Me sa duket, ligjvënësit parashikojnë intensifikim të sulmeve ndaj prokurorëve, sidomos atyre të SPAK, për shkak të dosjeve të ‘nxehta’ që kanë në duar. Muaj e fundit janë intensifikuar sulmet ndaj SPAK për shkak të rihapjes së dosjeve të bujshme të krimit dhe korrupsionit.
Detyrat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë
1. Vijimin e procedurave për përzgjedhjen e prokurorëve të tjerë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të bërë të mundur plotësimin e vendeve të lira në këtë institucion në zbatim të vendimit të Kuvendit nr. 6, datë 28.1.2021.
2. Në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, të miratohen rregullat e përbashkëta për bashkimin e procedimeve në rastin kur një gjyqtar dhe një prokuror janë përfshirë në të njëjtën shkelje.
3. Forcimin e marrëdhënieve institucionale me Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, me qëllim trajtimin në afate të arsyeshme të procedimeve disiplinore për prokurorët.
4. Përfundimin dhe miratimin e raporteve për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kancelarëve në detyrë në prokuroritë pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm.
5. Hartimin, miratimin dhe zbatimin e rregullave më të detajuara për formimin fillestar dhe atë vazhdues për nëpunësit e tjerë civilë të prokurorisë.
6. Hartimin dhe miratimin në një afat sa më të shkurtër të rregullores për vlerësimin e punës së prokurorëve.
7. Hartimin, miratimin dhe zbatimin e rregullores për pensionin e parakohshëm të prokurorëve në mbështetje të pikës 4 të nenit 27 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” .
8. Hartimin, miratimin dhe zbatimin e Rregullave (Kodit) për Etikën të prokurorëve.
9. Përgatitjen dhe miratimin e programit të përvitshëm për vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale të prokurorëve.
10. Angazhimin në dhënien e deklaratave publike në mbrojtje të prokurorëve të veçantë kur gjykohet se e drejta e tyre njerëzore rrezikohet të shkelet për shkak të kryerjes së detyrës ose kur kryerja e funksioneve të tyre ligjore po rrezikohet ose mund të rrezikohet si rezultat i veprimeve ose qëndrimeve të çdo subjekti publik ose privat.
11. Vijimin e dhënies së opinioneve dhe vlerësimeve për përmirësimet ligjore në përputhje me përcaktimet e nenit 187 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Detyra për Këshillin e Lartë Gjyqësor
1. Të përmbyllë në një kohë sa më të shkurtër procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, me qëllim vënien në funksionalitet të plotë të saj.
2. Të plotësojë vendet vakante në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
3. Të formalizojë propozimin e përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave, si dhe përmbylljen e paketës së plotë me akte nënligjore normative dhe rregullatore sipas përcaktimeve ligjore.
4. Të angazhohet në rritjen profesionale të gjyqtarëve dhe administratës së gjykatës nëpërmjet mundësive të vazhdueshme për zhvillimin profesional duke bashkëpunuar ngushtësisht me Shkollën e Magjistraturës dhe ASPA-n përkatësisht.
5. Të përshpejtojë ritmet e punës në vlerësimin vjetor të performancë së gjyqtarëve dhe personelit të administratës së gjykatës.
6. Të vijojë bashkëpunimin me organet e rivlerësimit kalimtar për përshpejtimin e përmbylljes së këtij procesi.
7. Të përmbyllë procesin e vlerësimit etik-profesional të gjyqtarëve, në përputhje me skemën e vlerësimit të gjyqtarëve.
8. Të angazhohet në propozime konkrete për përmirësime ligjore bazuar në përvojën e fituar dhe problematikat e dala përgjatë veprimtarisë së institucionit.
Shqiptarja.com