Vendet e Bashkimit Evropian në kufi me Rusinë hodhën poshtë një plan franko-gjerman për të rifilluar takimet zyrtare me Presidentin rus Vladimir Putin. Në një deklaratë në orët e para të mëngjesit të së premtes, udhëheqësit e BE-së thanë vetëm se ata “do të shqyrtojnë formatin dhe kushtet e dialogut me Rusinë”. Por në të nuk përmendej asnjë takim i nivelit të lartë ose plane për një samit me zotin Putin. Samiti u shoqërua gjithashtu nga debate të nxehta mbi një ligj të miratuar nga Hungaria, i cili ndalon që t’u jepet fëmijëve të moshës shkollore, materiale me përmbajtje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBT.
Presidenti francez Emmanuel Macron i doli në mbrotje një përpjekjeje të dështuar të Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur një takim të nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe Presidentit rus Vladimir Putin. Një ditë më parë udhëheqësit e Evropës Lindore u shprehën kundër saj, duke thënë se kjo gjë do t’i dërgonte Moskës një mesazh të gabuar.
“Nuk kishte konsensus për një takim të shpejtë. Nuk është tragjedi për mendimin tim. Gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar. Ndarjet na dobësojnë“, tha zotit Macron.
Propozimi i Presidentit Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, të cilët janë përpjekur të mbajnë një qëndrim më pak konfrontues me Rusinë në vitet e fundit, i ndau në qëndrime udhëheqësit e BE-së, sipas një ndarjeje të vjetër, lindje-perëndim.
“Personalisht do të kisha dëshiruar një hap më të guximshëm lidhur me këtë çështje. Por ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë gjë“, tha Kancelarja Merkel.
Takimet e nivelit të lartë të BE-së me Rusinë nuk janë zhvilluar më që kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë, një territor i Ukrainës, në mars të vitit 2014, një lëvizje që u shoqërua me sanksione nga Perëndimi.
Takimi i udhëheqësve të BE-së u përfshi gjithashtu nga diskutimet e nxehta mbi një ligj të miratuar në Hungari, i cili ndalon që femijëve t’u paraqiten përmbajtje të lidhura me komunitetin LGBT.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se ishte e nevojshme që të zhvillohej një “betejë kulturore” me disa vende të Bashkimit Evropian, si Hungaria dhe Polonia, ku janë votuar ligje anti-LGBT.
“Ne duhet të kuptojmë se si një vend mund të arrijë në këtë situatë. Ne duhet të bëjmë një betejë kulturore, një betejë civilizimesh“, tha zoti Macron në një konferencë shtypi pas takimit të udhëheqësve të BE-së.
Kryeministri holandez Mark Rutte kritikoi të premten udhëheqësin hungarez Viktor Orban.
“Nuk mund ta përsëris fjalë për fjalë atë që thashë, por thashë gjithësesi i thashë: Ju e dini Viktor (Orban) nëse nuk ju pëlqen dhe nuk mund ta respektoni BE-në, ekziston edhe një alternativë dhe kjo është për të dalë nga Bashkimi Evropian“.
Një shumicë e udhëheqësve këmbëngulën që BE-ja të mos e tolerojë diskriminimin./VOA
/m.j