Pas shtyrjes së negociatave nga Bashkimi Europian, Greqia i ka dhënë ditën e sotme një tjetër goditje Maqedonisë së Veriut, duke ngrirë marrëveshjen e Prespës.
Pakti, i cili u nënshkrua nga ish-kryeministri Aleksis Tspiras dhe Zoran Zaev në brigjet e liqenit të Prespës në vitin 2018, i dha fund bllokadës së Athinës ndaj anëtarësimit të Shkupit dhe coi në ndryshimin e emrit të vendit fqinj.
Por Greqia i kërkoi të martën kryeministrit të Maqedonisë së Veriut të zbatojë plotësisht marrëveshjen e Prespës duke përfshirë ngjarjet sportive ndërkombëtare. Po ashtu, gazeta greke “Ekathimerini” raporton se Athina po shtyn ratifikimin e planifikuar parlamentar në korrik të tre memorandumeve të bashkëpunimit të nënshkruara midis dy vendeve deri në shtator dhe mbase më vonë.
Athina iu përgjigj ashpër një postimi nga Zoran Zaev në të cilën Kryeministri i Maqedonisë së Veriut i referohej ekipit kombëtar të vendit të tij të futbollit, i cili po merr pjesë në Kampionatin Evropian 2020, si “maqedonas”.
“Ne kërkojmë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës dhe frymën e saj dhe ne i bëjmë thirrje Z. Zaev të përmbahet nga retorika përçarëse, veçanërisht në një çështje kaq të ndjeshme siç është futbolli,” tha zëdhënësja e qeverisë Aristotelia Peloni.
“Në çdo rast, zbatimi me mirëbesim i marrëveshjes është një nga kriteret për pranimin e vendit në Bashkimin Evropian,” vuri në dukje ajo.
“Memorandumi i bashkëpunimit është shtyrë në mënyrë që Zaev të kuptojë se ai ka disa detyrime të cilat nuk mund t’i injorojë”, shkruan gazeta. Vendimi vjen vetëm disa orë pasi Bullgaria vuri veton ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve historike, duke bllokuar automatikisht edhe negociatat me Shqipërinë.
Në një tregues tjetër të qëndrimit forcues të qeverisë ndaj shkeljeve të Maqedonisë së Veriut në lidhje me marrëveshjen e emrit ishte vendimi i Pelonit për të kujtuar gazetarët se cilat ishin kundërshtimet e partisë qeverisëse Demokracia e Re në lidhje me marrëveshjen e Prespës.
Më konkretisht, ajo tha se kundërshtimet kryesore të partisë në pushtet janë mbi çështjet e gjuhës dhe identitetit.. Qeveria e kishte bërë të qartë qëllimin e saj se ajo dëshiron të zbatojë marrëveshjen pavarësisht nga kundërshtimi fillestar ndaj saj. Por nga ana tjetër po bën gjithashtu të qartë se nuk do të mbyllë sytë për sinjalet që vijnë nga Shkupi për të mos zbatuar plotësisht marrëveshjen”, shkruan “Ekathimerini”.
Duke marrë pjesë në ndeshjen e së hënës midis Maqedonisë së Veriut dhe Holandës në Amsterdam, Zaev shkroi në Twitter: “Sot, nga stadiumi në Amsterdam, unë ofroj mbështetjen time të fortë për ekipin maqedonas të futbollit.”
/b.h