Oficerët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Policinë e Shtetit, kanë arrestuar kolegun e tyre në Laç.
Mësohet se në pranga ka rënë oficeri i Patrullës, Nikolin Gjergji, pasi dhunonte bashkëshorten dhe djalin e tij.
Njoftimi i SHÇBA:
SHÇBA arreston një punonjës policie në Laç, i dyshuar për “Dhunë në familje”
Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër-Lezhë arrestoi sot në flagrancë shtetasin N.GJ., 53 vjeç, punonjës policie i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Kurbin.
Arrestimi i punonjësit të policisë u krye pas kallzimit për “Dhunë në familje” nga ana e bashkëshortes dhe djalit të tij.
Nga ana e specialistëve të SHÇBA u kryen të gjitha verifikimet për rastin në fjalë duke u administruar raporti mjeko-ligjor, si edhe duke i kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin për nxjerrjen e urdhërit të mbrojtjes për dy shtetasit.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin.
SHÇBA bën thirrje për të denoncuar raste të ngjashme të dhunës brenda familjes nga ana e punonjësve të policisë, në numrin e gjelbër (pa pagesë) 0800 9090, ose duke u paraqitur pranë zyrave të SHÇBA në çdo Drejtori Vendore të Policisë së Shtetit.
/b.h