Zyrtarët e rendit thonë se teknologjia e identifikimit të fytyrës po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në hetimet e tyre penale. Por mbrojtësit e të drejtave civile po ngrenë alarmin për fuqinë e saj dhe abuzimin e mundshëm të privatësisë së individëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh njofton.
Dy vjet më parë, agjentët federalë arrestuan një burrë në Nevada që dyshohej se kishte postuar imazhe që tregonin abuzimin seksual të një vajze 7-vjeçare.
Ata ishin në gjendje ta identifikonin personin në fjalë duke përdorur një imazh të vetëm të tij dhe duke e krahasuar atë me një foto të gjetur nga Clearview AI, një kompani që ofron shërbimin e njohjes së fytyrës e që përmban 3 miliardë imazhe të shkëputura nga interneti.
“Ai ishte në sfondin e fotografisë së dikujt tjetër në palestër, dhe dukej nga pasqyra. Ata ishin në gjendje të identifikonin vendndodhjen e palestrës, dhe të identifikonin personin. ((Ai u dënua me 35 vjet burg dhe agjentët shpëtuan një shtatë vjeçare, thotë Hoan Ton-That bashkë themelues i kompanisë Clearview AI.
Kompania thotë se më shumë se 3,000 agjenci amerikane të zbatimit të rendit përdorin programin e saj, i cili ka një algoritëm të avancuar për të identifikuar dhe gjetur personat.
Rreshteri Jason Webb, me Departamentin e Policisë në Oksford të Alabamës thotë se teknologjia po jep rezultate.
“Di një mori çështjesh që janë zgjidhur falë kësaj teknologjie; një numër fëmijësh që janë mbrojtur falë saj”, thotë reshteri Webb.
Por ai shton se: “Nuk mund të përdorësh vetëm teknikën e identifikimit të fytyrës për të nxjerrë një urdhër arresti për një të dyshuar. Unë do të përqendrohesha në hetimin tim, dhe pastaj do të shihja çfarë mjetesh të tjera kemi. Dhe nëse është i njëjtë personi, ne jemi në gjendje ta vërtetojmë këtë”.
Programi ka ndihmuar gjithashtu forcat e rendit të identifikojnë të dyshuarit që sulmuan në janar Kongresin, thotë kompania.
“Ata ishin në gjendje t’i identifikojnë shpejt pjesëmarrësit, dhe gjithashtu të përshpejtonin procesin hetimor”, thotë Hoan Ton-That, bashkëthemelues i kompanisë Clearview AI.
Por kompanitë e mediave sociale dhe mbrojtësit e të drejtave civile argumentojnë se ky lloj programi i fuqishëm cënon potencialisht privatësinë e individëve.
“Edhe kur identifikimi i fytyrës funksionon shumë mirë, ai krijon shqetësime të mëdha nëse qeveria është në gjendje të na mbikëqyrë gjatë çdo aspekti të jetës sonë”, thotë Kate Ruane me Unionin e Lirive Civile Amerikane.
Ky union dhe grupe të tjera të të drejtave civile janë gjithashtu të shqetësuara për pasojat që mund të vijnë nga kjo teknologji në duart e qeverive shtypëse.
“Pasojat janë të tmerrshme, veçanërisht në vende si Kina, që po përpiqet të gjurmojë qytetarët në çdo aspekt të jetës së tyre”, thotë Kate Ruane.
Të paktën, duhet të ketë mbikëqyrje dhe rregullore thotë zonja Ruane. Deri atëherë, ajo mbron idenë e një ndalimi të plotë të përdorimit të teknologjisë së identifikimit të fytyrës nga forcat e rendit.
Ton-That thotë se programi i kompanisë së tij përfshin udhëzime…
“Gjithmonë ka një këshillë që shfaqet në ekran për klientin, ku thuhet, ‘nuk mund ta përdorësh këtë si të vetmin burim për të bërë një arrestim”, thotë zoti Ton-That.
Ai shton se kompania e ka kufizuar tani për tani bazën e klientëve të saj në pothuajse vetëm zyrtarët e rendit dhe ata qeveritarë.
Ndërsa debati mbi përdorimin e teknologjisë së identifikimit të fytyrës vazhdon, disa zyrtarë të zbatimit të ligjit shpresojnë se teknologjia do të vazhdojë të përdoret.
“Nëse ajo përdoret për të identifikuar një person të zhdukur apo për të gjetur një shkelës ligji që dëmton një fëmijë, ia vlen shumë”, thotë reshteri Webb./VOA
/m.j