Një grua 33-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, rrëfeu në emisionin “Historia Ime” se si i ndryshoi jetanga dhuna e bashkëshortit.
Fëmija më i madh është 11 vjeç, ndërsa më i vogli 2. Martesa e saj ndodhi në moshë të re kur ishte 21 vjeçe, e nisur nga dashuria, pavarësisht kundërshtimit të prindërve.
Vitet e para të martesës shkonin mirë, edhe jetesa me te afërmit e tij po ashtu, derisa për shkak të borxheve vjehrri shet shtëpinë. Ajo u kthye te prindërit, shtatzënë, derisa morën një shtëpi me qera për të jetuar me bashkëshortin për t’u bashkuar më pas sërish me familjarët e tij për shkak se nuk po mundnin të përballonin vështirësitë ekonomike.
Pas largimit të prindërve të tij për në Gjermani, gjërat nisën të vështirësoheshin edhe më shumë. Burri nuk punonte rregullisht, fëmijët shpesh nuk hanin dhe pas lindjes së dy fëmijëve të parë, nisi edhe dhuna. Kur lindi fëmijën e tretë, Zonja X kërkoi azil politik në Francë së bashku me të dhe fëmijët dhe jetuan për 9 vjet atje si qytetarë të rregullt.
Pas 9 vjetësh, për shkak të disa problemeve të shkaktuara nga kunati dhe një presioni nga bashkëshorti që i kërkonte të ndahej nga familja ose të ktheheshin në Shqipëri, ajo pranoi që të merrnin fëmijët e të ktheheshin.
Zonja X: Kur isha me tre fëmijë, ika në Francë me azil.
Mirela Milori: Me dokumenta të rregullta?
Zonja X: Po, me pasaporta. Ndenja gati 9 vjet.
Mirela Milori: Ke qëndruar 9 vjet në Francë? Bashkë me bashkëshortin?
Mirela Milori: Jetuat në kamp apo filluat punë?
Zonja X: Jetuam në kamp, më pas morëm shtëpi dhe na e paguante shteti.
Mirela Milori: Si ishte jetesa në Francë?
Zonja X: Mirë. Kur u kthyem, fëmijët qanin, ishin në shkollë atje.
Mirela Milori: Po pse ju kthyen?
Zonja X: Vendosi burri sepse erdhi vëllai i tij e na prishi punë atje.
Mirela Milori: Si ju prishi punë?
Zonja X: Unë isha me mamin dhe motrën, ato jetonin veç. Vëllai i tij rrinte vetëm dhe ne e morëm në shtëpinë tonë, ai u dashurua me motrën time dhe mami më thoshte t’i flisja. Ai (burrri) më rrihte, më thoshte “ose do ndahemi nga njerëzit e tu ose do kthehemi në Shqipëri”. Unë i thashë që nuk ndahem prej njerëzve të mi se na hapi probleme vëllai yt. Ai shkoi e prishi azilin e u kthyem.
Mirela Milori: Vëllai i tij ra në dashuri me motrën tënde? Cili ishte problemi?
Zonja X: Motra ishte e martuar dhe me fëmijë, ai beqar. Ajo iku prej burrit se vuante njësoj dhe fitoi dokumentat në Francë.
Mirela Milori: Domethënë, vëllai i tij me motrën tënde janë bashkë tani që flasim?
Zonja X: Jo, ai është në Shqipëri tani.
Mirela Milori: A flisnit me motrën për këtë? Duheshin apo ishte thjesht një flirt?
Zonja X: Folëm me motrën, ata flisnin me njëri-tjetrin, mami e kundërshtonte.
Mirela Milori: Tani s’e kuptoj, ju pse u kthyet?
Zonja X: Më thoshte “ndahu nga njerëzit e tu ose do kthehemi”.
Mirela Milori: Sepse ti s’ishe dakord që i vëllai po i prishte jetën motrës tënde. Po ai si e shihte këtë raport?
Zonja X: Thoshte “e ka fajin motra jote, pse i flet ajo, e kanë fajin njerëzit e tu”.
Mirela Milori: Hera e fundit që të bëj këtë pyetje, pse duhet të prishnit gjithçka ju atje sepse motra jote dhe vëllai i tij, të rritur, vendosën të kishin një raport, përfundimtar apo kalimtar, punë për ta. Ju pse ikët nga Franca për ta? Ti pse ike? T’i thoshe “nuk vij” e të rrije me fëmijët.
Zonja X: Ika pas tij, kisha frikë të rrija vetëm me fëmijët. Fëmijët qanin, nuk donin të ktheheshin se i kishin të gjitha kushtet dhe ishin rehat.
Mirela Milori: Nuk e mendove të ardhmen, shkollimin e tyre atje? Më mirë vetëm dhe me një shkollim, të bëheshin qytetarë franceze sesa të ktheheshe në Shqipëri me të? I mendove këto?
Zonja X: I mendova, por i mendova kur ika.
Mirela Milori: Po nëna jote ç’të thoshte?
Zonja X: Ajo më lutej, më thoshte “rri se më ke mua këtu, të ndihmoj unë për çdo gjë”, por ne kishim firmosur.
Zonja X e plotësoi kushtin e bashkëshortit për t’u kthyer nga Franca së bashku me fëmijët me shpresën se mund të ndryshonte diçka, por gjërat nisën nga fillimi.
Sërish në shtëpi me qira, zonja nisi një punë në një fabrikë këpucësh, ndërsa bashkëshorti u shkëput prej punës pak kohë pasi e kishte nisur atë dhe kishte filluar të pinte.
Pas disa muajsh, u detyrua edhe ajo të linte punën sepse lindi fëmija i katërt. Borxhet e shumta i bënë të shpërnguleshin në shtëpinë e prindërve të saj, por te burri nuk ndryshoi asgjë.
Ai shkoi tek të afërmit në Tropojë dhe nuk e pranoi kërkesën e gruas që kur të kthehej të jetonin sërish bashkë, por i tha se ajo dhe fëmijët duhet të jetonin kudo që do ishte edhe ai, qoftë edhe nën qiell të hapur.
Zonja X nuk e pranoi këtë dhe që prej Shtatorit janë të ndarë, ajo vazhdon të qëndrojë te prindërit e saj. Edhe tani që janë të ndarë, sa herë vjen, ai ushtron dhunë verbale e fizike ndaj saj. Dy djemtë e mëdhenj po qëndrojnë me të atin përkohësisht.
Ajo kërkon të bëjë divorcin dhe të fitojë kujdestarinë e plotë të fëmijëve për t’u kthyer sërish në Francë pasi nuk sheh asnjë të ardhme me të, as këtu. Burri e kundërshton për kujdestarinë pasi thotë se fëmijët do të qëndrojnë me të, por nuk ka asnjë kusht ekonomik për t’i mbajtur ata sepse nuk punon dhe nuk i jep asnjë kontribut.
Një martesë që nisi me dashuri, por tashmë nuk ka mbetur më asgjë. Zonja shprehet se nuk do më të ketë asgjë me të pasi dhuna, sharjet dhe problemet ekonomike kanë arritur kufirin. E vetmja gjë që ajo dëshiron dhe është e bindur për ta marrë, është divorci.
Mirela Milori: Ka mbetur gjë nga dashuria jote për të?
Zonja X: Tani s’e dua më fare, s’kam më ndjenja për të.
Mirela Milori: Nuk e do më fare?
Zonja X: Jo, ngaqë më shan e më ka rrahur.
Mirela Milori: Po a të vjen keq?
Zonja X: Keq më vjen t’i ndaj fëmijët, por as ashtu nuk kalohet jeta.
Mirela Milori: Mendon që mund të rikthehet, ka vend që të punohet e flitet po të keni ekonomi të mirë?
Zonja X: Ai më thotë “unë nuk ndryshoj, po këtë zanat kam”.
Zonja X: “Nuk ndryshoj, po këtë avaz kam”, thotë.
Mirela Milori: Po ai çfarë thotë, të do?
Zonja X: Ai thotë “të dua, s’bëj më”, por po njësoj. Para një jave më shau e gjuajti në parkun e lojërave.
Mirela Milori: Po person të tretë a ka në mes? Ka ndonjë femër tjetër apo nuk beson?
Zonja X: S’e di, nuk e kam parë.
Mirela Milori: Ti a je xheloze që po të ndahet nga ti, të ketë dikë tjetër?
Mirela Milori: Ka mbaruar. Seriozisht nuk e do më? Kur kujton atë njeriun që ke dashur dikur dhe ky, a gjen të përbashkëta?
Zonja X: Në fillim, gjithmonë i mohoja njerëzit e mi për të. Zihesha me të, shkoja te mami me çdo gjë kisha, por sa të vinte ai i shkoja pas se e doja. Ziheshim, pajtoheshim, por jeta ashtu nuk shtyhet.
Mirela Milori: Ti je nënë me 4 fëmijë, ai është babai i katër fëmijëve të tu dhe çdo nënë kur vjen puna për të ndarë babain e fëmijës mendohet mirë se është fëmija në mes. Çfarë ka mbaruar që ti thua jo?
Zonja X: Nuk e dua më se vetëm më shan. Kur i thua gruas lloj lloj fjalësh, për çfarë e mban, për çfarë e do?
Mirela Milori: Të thyen, të bën të ndihesh keq. Po këtë periudhë që jeni ndarë, a i sheh fëmijët nga ana ekonomike?
Mirela Milori: Nuk iu blen gjë, nuk të jep para për ta?
Zonja X: Jo, ndonjëherë rrallë. Para dy javësh, i dha 2000 lekë. Ai është papunë.
Mirela Milori: Ti je e bindur që duhet të bësh një divorc ligjor edhe nëse lutet apo kthehet?
Zonja X: Po, unë dua të marr fëmijët e të shoh jetën time me ta.
Mirela Milori: Je bërë pishman që je kthyer nga Franca?
Zonja X: Shumë. Ishim me dokumente atje. Erdhëm, pa shtëpi, pa gjë.
Mirela Milori: Të ka mbetur peng?
Zonja X: Edhe fëmijëve, djali i madh edhe sot e kujton. Thotë “ishim më rehat atje. Kisha shokë e të gjitha”.
Mirela Milori: Si e more vendimin që u ktheve nga Franca?
Zonja X: E mora se ai më tha “ndahu prej njerëzve të tu ose do kthehemi në Shqipëri”. I thashë që prej njerëzve të mi nuk ndahem dhe më çoi të firmosnim letrat e kthimit. Duke menduar për fëmijët që mos t’i ndaja nga babai i tyre, por lindi tjetri e tjetri dhe vazhdoi po i njëjti avaz. Edhe kur shkuam te vjehrri, sërish vuanim, si në fillim edhe tani. E merrte bukën, e hidhte, e shkelte me këmbë dhe detyroheshim ta hanim prapë se ai nuk punonte, punonte vetëm vjehrri.
Mirela Milori: Po pse e bënte këtë? Ky është një gjest jo njerëzor.
Zonja X: Po ai s’punonte dhe kishte inat. Fëmijët rrinin pa bukë, ai nxehej, i thoshte “nuk iu sjell për të ngrënë, hani këtë”, ia merrte bukën ia hidhte. Vjehrra shkonte e merrte dhe fëmijët e hanin prapë.