Një fermë me 180 pula të infektuara është identifikuar në fshatin Garunjë të Peqinit dhe është asgjësuar nga Shërbimi Veterinar.
Zona është dezinfektuar, por megjithatë Shërbimi veterinar bën thirrje për kujdes. Ndërkohë pulat janë groposur për të zhdukur përhapjen e infeksionit të gripit të shpendëve si dhe është dezinfektuar ambienti.
Në një intervistë për Report Tv, Fatmir Ozuni, nga shërbimi veterinar në Elbasan thotë se situata është nën kontroll dhe se nuk ka vatra të tjera të reja.
‘Shërbimi qarkut veterinar ndodhet në një punë intensive për të përballuar situatën e Gripit të Shpendëve. Kryesisht në bashkinë Peqin, në fshatin Garunjë të Vogël në një fermë është konstatuar përhapja e gripit të shpendëve dhe është kqyrur situata.
Morëm masa menjëherë, siç ishin shpallja e zonës ku është përhapur gripi në zonë karantine të të gjithë fshatit, ku u groposën të gjithë shpendët dhe u dogjën ndërkohë që u dezinfektua ambienti dhe sot po punojnë të gjithë veterinerët e shërbimit. Përpos punëve të tjera monitorojnë çdo ditë ferma, po bëhet për të parë ku e kemi gjendjen e dhe situatën është nën kontroll dhe nuk kemi vatra të reja.’- tha Ozuni.
Në mënyrë kategorike fermerët e kanë të ndaluar të nxjerrin shpendët në treg dhe në rast identifikimi merren masa.
/b.h