Pas arrestimit të Edison Begajt ka folur Besnik Begaj, i cili shprehet i shqetësuar për jetën e vëllait të tij. Në një prononcim për News24, vëllai i tij hedh poshtë të gjitha pretendimet se ai është një trafikant droge. Për këtë i referohet vendimit të gjykatës, që sic shprehet i ka dhënë pafajësi të plotë.
Sipas tij, Edison Begaj ka marrë vetëm një dënim për moskallëzim krimi. Për atentatin thotë se nuk janë në dijeni se kush ia ka bërë, por thotë se jeta e tij dhe e familjes së tij është në rrezik.
Në lidhje me arrestimin tre ditë më parë nga policia, Besnik Begaj thotë se vëllai i tij është pajisur me armë vetëm pas atentatit, pasi shteti nuk e ka marrë në mbrojtje.
ÇFARE THOTE I VELLAI PER ATENTATIN DHE ARRESTIMIN
“Vëllai im është plagosur para portës së shtëpisë nga një person i panjohur i veshur me uniformë policie. U plagos para syve të fëmijëve 6 dhe 7 vjec, i cili ka mbetur i plagosur dhe për fat të mirë është drejtuar drejt spitalit të Vlorës. Ka ndenjur disa ditë, më pas e kemi çuar në shtëpi. Vëllai im është përfolur shumë për faktin se ka qenë një trafikant droge dhe trafikant armësh, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Vëllai im ka qenë i akuzuar dhe ka një vendim të gjykatës së lartë që e rrëzon këtë akuzë dhe i ka dhënë pafajësinë e plotë. Vëllai im ka marrë vetëm një dënim nga Apeli dhe Gjykata e Shkallës së Parë vetëm për moskallëzim krimi. Ky është personi që është përfolur kaq shumë.
Vijmë te fakti që vëllai im është arrestuar me një armëmbajtje pa leje. Vëllai im për 15 vjet që ka jetuar në Shqipëri nuk ka pasur ndonjë armë me armë me vete, sepse nuk ka pasur ndonjë problem. Vëllai im ka jetuar gjithmonë, ka ikur natën dhe ditën dhe nuk ka pasur nevojë për armë. Në moment që është plagosur, është cënuar jetë e tij në mënyrë drastike, është goditur para fëmijëve të tij dhe nga momenti që ai kishte detyrimin për të vajtur në punë, sepse ka një biznes të vogël në Lungomare është pajisur me një armë zjarri në momentin që agresori nuk është kapur.
Një person si mund të mbrohet kur shteti nuk e mbron. Nga dita që u plagos Edison Bega, policia nuk iu qëndroi për ta ruajtur. Por kemi ne nga 10-15 veta për ta mbrojtur, sepse nuk e dinim kush e qëlloi dhe kush e vrau. Kujt policie duhet ti ruhemi ne, asaj që na vret apo asaj që na arreston. Zotërinj të dashur, shikoni dhe verifikoni biografinë e Edison Begës, pasatja gjykoni. Edison Bega ka lënë dy fëmijë rrugëve, sepse nënën nuk e ka, babain e ka në gjendje kome. Familja e tij është në gjendje kritike. Jeta e tij është në gjendje kritike, e pambrojtur dhe e dëbuar nga të gjithë. Ju lutem, i bëj thirrje gjithë shtetit shqiptar, gjykatës, prokurorisë që ta marrë seriozisht çështjen e tij. Ta ruajnë dhe jo ta shkatërrojnë nga ana morale. E kanë terrorizuar. Më parë e terrorizoi atentati, tani shteti. I kërkojmë ndihmë shtetit. Jeta e tij varet në një fill të vetëm”
ARRESTIMI
41-vjeçari nga Vlora nuk është një emër i panjohur për Policinë. Ai i shpëtoi atentatit me katër plumba mesnatën e 29 majit në Kaninë të Vlorës.
Begaj ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit. OFL i ka dërguar Edison Begajt formularin për deklarimin e pasurisë.
Më 20 shkurt të vitit 2008, “blutë” e Vlorës arrestuan 7 persona mes të cilëve edhe Begajn, si pjesë të një grupi që merrej me trafikim droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në shkurt të 2010 Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
Ndërkaq, edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë “çokollatë”, në vendin e emërtuar “Qafa e Kuzum Babasë”.
Atentati
Begaj u qëllua në 29 maj me 4 plumba në hyrje të banesës së tij duke mbetur i plagosur. Plumbat e kapën në këmbë dhe 38-vjeçari përfundoi në spital, por u mbijetoi plagëve të marra.
Autorët e pritën 41-vjeçarin derisa të kthehej në banesën e tij për t’a qëlluar me pistoletë. Begaj do të ndihmoj nga errësira e madhe në zonë, pasi plumbat e kapën në pjesën e poshtme të trupit.
Një seri ekzekutimesh me armë zjarri kanë ndodhur gjatë muajve të fundit në qytetin e Vlorës, kur më të shumtat e rasteve lidhen me prishjen e pazareve të drogës.
g.kosovari