“Mbrëmjen e 11 Majit kemi patur një sherr tjetër. Ajo më nxorri nga shtrati dhe e pashë që po largohej për ta vendosur foshnjen në djep. M’u errësuan sytë dhe ndërsa ajo ishte duke bërtitur, shkova dhe i mbylla gojën me duart e mia. Kur kuptova që kishte vdekur, u përpoqa të mbuloja ngjarjen sepse është edhe një foshnje 11-muajshe. Nuk kisha asnjë bashkëpunëtor, gjithçka e bëra vetë dhe u mundova ta bëja sa më të besueshme”.
Kjo është dëshmia që ka dhënë në polici burri vrasës në Greqi, Babis Anagnostopoulos, i cili akuzohet për vrasjen e gruas së tij 20-vjeçare Karolina, ngjarje e ndodhur më 11 Maj në shtetin fqinj.
Pas 8 orësh marrje në pyetje, piloti 32-vjeçar pranoi të gjithë krimin pasi u detyrua për shkak të provave që hetuesit grekë i vunë në dispozicion.
Gjatë hetimeve për këtë ngjarje, në shtypin grek u tha se kishte dyshime që grabitësit e banesës të cilët vranë Karolinën të kenë qenë shqiptarë dhe gjeorgjianë. Edhe vetë autori u shpreh më parë se njëri prej autorëve fliste shqip.
Kanë qenë 2 oficerë të policisë greke që qëndruan për plot 8 orë në dhomën e marrjes në pyetje duke bërë që 32-vjeçari “të thyhej” dhe të pranonte krimin e tmerrshëm. Ai tha se kishte frikë që 20-vjeçarja do ta linte dhe se martesa e tyre nuk po funksiononte.
/a.r