Italia është e pandalshme dhe duket se nuk ka ndërmend të ndalet në këtë Kampionat Europian. Të kaltrit sot kishin përballë Zvicrën dhe arritën ta mundin pa shumë vështirësi me shifrat e pastra 2-0 në stadiumin “Olimpico” me dy gola të yllit të Sassuolo, Manuel Locatelli.
Skuadra e Roberto Mancinit shënoi në minutën e 20 në zhvillimet e një goditje këndi me Giorgio Chiellinin, por një prekje me dorë u pikas nga VAR dhe gjyqtari vendosi anulimin e golit. Katër minuta më pas kapitenit iu desh të linte fushën e lojës për shkak dëmtimi dhe u zëvendësua nga Acerbi.
Por goli nuk do vononte shumë sepse Manuel Locatelli do e gjente në minutën e 26 pas një pasimi të shokut të tij te Sassuolo, Domenico Berardi. Pak minuta më pas Italia kishte mundësi të madhe për të shënuar të dytin me Spinazzola, por mbrojtësi i Romës gaboi dhe e nxori topin jashtë.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat minimale dhe më nisjen e së dytës, Locatelli gjeti rrjetën e dytë, këtë herë me një goditje të pakapshme nga jashtë zone. Zvicra u mundua të rrezikojë pak minuta më pas dhe kishte rast të artë, por Donnarumma u thirr në detyrë dhe nuk zhgënjeu, duke bërë dy super pritje njëra pas tjetrës.
Më pas mundësitë për të shënuar më shumë ishin për Immobile, i cili në pak minuta humbi dy raste të pastra, që do e kishin mbyllur ndeshjen me kohë. Atë që nuk e bëri nga pranë portës, Immobile e bëri nga distanca në minutën e 89, duke shënuar një super gol dhe fiksuar shifrat në 3-0.
Me këtë fitore Italia prenoton matematikisht kualifikimin në fazën e 1/8-ave. Nga ana tjetër Zvicra do duhet të diskutojë vendin e tretë me Turqinë në ndeshjen e fundit. Për momentin Xhaka me shokë numërojnë 1 pikë dhe ndaj ballkanasve u duhet me patjetër triumfi.
g.kosovari