Të tjera pamje të kamerave të sigurisë nga tragjedia e 23 majit ku 14 persona ndërruan jetë pas rrëzimit të një teleferiku, janë publikuar sot nga mediat italiane.
Në këtë video të publikuar nga TG3 duket kabina e teleferikut teksa i afrohet stacionit të mbërritjes në Mottarone. Në një moment një nga kavot mbajtëse shkëputet dhe kabina rrëzohet me shpejtësi në tokë.
Kryebashkiakja e qytezës Stresa në Itali, Marcella Severino, është shprehur kundër publikimit në media të kësaj video. “Kjo video më shtangu dhe mendoj se nuk është e përshtatshme për viktimat dhe familjarët e tyre”, tha ajo.
Kujtojmë që në kabinën e teleferikut ndodheshin në total 15 persona, ku i vetmi që mbijetoi ishte një vogëlush 5-vjeçar. Një ditë pas ngjarjes së rëndë u dol në përfundimin se një nga dy kavot mbajtëse të teleferikut ishte shkëputur. Po ashtu nuk kishte funksionuar as frena e emergjencës. Impianti ishte kontrolluar në nëntor të 2020-ës dhe deri në ditën e tragjedisë çdo gjë shkonte në rregull.
g.kosovari