Bëhet me dije se është miratuar në fletoren zyrtare, urdhëri i ministres Etilda Gjonaj për lehtësimin e masave anti Covid në burgje.
Tashmë personat që vuajnë dënimin në Shqipëri do të mund të takojnë familjarët e tyre, por me numër të kufizuar deri në dy persona. Gjithashtu rikthehen dhe takimet intime 1 herë në muaj dhe me testin e Covid negative.
“Të burgosurit meshkuj dhe femra kanë të drejtën e vizitës 1 (një) herë në muaj, duke garantuar higjienën e nevojshme, kontrollin shëndetësor gjatë hyrjes, kontrollin e pasjes nga ana e vizitorit të vërtetimit nga autoritetet shëndetësore përkatëse ose analizës/dëshmisë serologjike mbi shërimin rishtazi nga COVID-19, testit të vlefshëm negativ nga infektimi me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19 ose vërtetimit/dëshmisë së vaksinimit të plotë anti-COVID-19”, thuhet në urdhër.
Vendimi përcakton në detaje takimet, lejet, distancimin fizik, shmangien e grumbullimeve, por rikthen aktivitetet kulturore e sportive dhe vizitat e familjarëve të të dënuarve. Gjithashtu, të dënuarit e rinj duhet t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore brenda burgut ku do të vuajnë dënimin.
Urdhri thotë se të burgosurit e sapoardhur në institucion të mbahen nën mbikëqyrje, në ambiente të ndara nga të burgosurit e tjerë, për një periudhë 14-ditore.
Burgjeve u kërkohet që të garantojnë, jo më pak se 4 (katër) herë në muaj, të komunikimit telefonik dhe të alternativave të tjera të komunikimit elektronik të të burgosurit me anëtarët e familjes, të afërmit dhe në raste të veçanta me të tretët.
Kërkohet shmangia e grumbullimeve të të burgosurve dhe kur kjo është e pamundur të respektohet distanca e sigurisë prej të paktën 1 metër mes tyre.
Leja shpërblyese mbetet e pezulluar e po ashtu edhe leja e veçantë, me përjashtim të rasteve të vdekjes së një familjari.
/b.h