Në kuadër të miratimit të Agjendës 2030, vendet anëtare të NATO-s mblidhen sot në Bruksel. Në deklaratat hyrësë të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, deklaroi se do të merren vendime të rëndësishme sa i përket sigurisë të së ardhmes.
Veprimet e Rusisë, kërcënimi nga terrorizmi, sulmet kibernetike, teknologjitë, ndryshimi klimës dhe fuqizimi i Kinës janë ndër çështjet kryesore të cilat do të diskutohen në këtë samit të rëndësishëm, ku për herë të parë që nga zgjedhja në Krye të Shtëpisë së Bardhë do të jetë prezent edhe presidenti Joe Biden.
Pjesë e këtij samiti është edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, së bashku me 29 krerët e shteteve anëtare të aleancës ushtarake më të madhe në botë.
Në fjalën e tij hapëse para se të mbërrinin krerët e shteteve, Stoltenberg theksoi se NATO 2030, është një përpjekje për të përballuar sfidat e mëdha me të cilat përballet globi.
“Kina po vjen më pranë nesh. Ne i shohim ata në hapësirën kibernetike, në Afrikë, në Artik, por ne gjithashtu shohim Kinën që investon shumë në infrastrukturë dhe përpiqemi ta kontrollojmë atë. Ne kemi parë diskutimin në lidhje me 5G dhe kjo është arsyeja pse agjenda e NATO-s 2030 është kaq e rëndësishme. Kjo sepse agjenda e NATO-s ka të bëjë me forcimin e rezistencës sonë, ka të bëjë me investime në teknologji sigurimin që të rritemi në mbrojtjen kibernetike. Dhe ne gjithashtu e dimë që Kina nuk i ndan vlerat tona. Ne shohim se si ata godasin protestat demokratike në Hong Kong dhe persekutojnë pakicat në vendin e tyre, përdorin teknologji moderne, media sociale, për të monitoruar popullsinë e tyre në një mënyrë që nuk e kemi parë kurrë më parë “, tha Stoltenberg.
Marrëdhëniet me Rusinë, Stoltenberg i konsideroi në nivelin më të ulët që nga periudha e luftës së Ftohtë.
Në nisje të samitit Presidenti i SHBA Joe Biden tha se NATO është “shumë e rëndësishme” për interesat amerikane “Artikulli 5 është një detyrim i shenjtë”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë duke iu referuar doktrinës së mbrojtjes kolektive të aleancës transatlantike.
“Unë mendoj se gjatë dy viteve të fundit kemi më shumë njohuri se kemi sfida të reja dhe kemi Rusinë që nuk po vepron në një mënyrë që është në përputhje me atë që kishim shpresuar, si dhe Kinën, dua të bëj të qartë: NATO është shumë e rëndësishme për interesat e SHBA. Nëse nuk do të ishte e tillë , do të na duhet të shpikim një. Unë thjesht dua që e gjithë Evropa të dijë se Shtetet e Bashkuara janë atje”, tha presidenti Biden.
Për herë të parë në samit merr pjese edhe Maqedonia e Veriut. Kryeministri Zaev në hyrje të samitit u shpreh se ishte një moment historik për Shkupin.
Në përfundim të samitit, liderët do të dalin edhe me një deklaratë të përbashkët, ku përcaktohen vendimet dhe objektivat e marra.
/b.h