Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Kongresin e PS-së falënderoi liderin historik të PS-së Fatos Nanon, duke thënë se ai ishte fillimisht “babai i tij politik”, më pas e “vrau” dhe më tej e gjeti të rilindur.
“Gëzuar 30-vjetorin e PS-së. Kjo është një ditëlindje e bukur. Faleminderit atyre që i dhanë kësaj partie, tiparet themelore të zhvillimit. Faleminderit liderit të saj, babait tim politik, që në fillim e desha, pastaj e vrara, pastaj e gjeta të rilindur, në respektin ndaj njëri-tjetrit. Faleminderit për anëtarët e Partisë Socialiste dhe kontribuuan në 30 vjet në arritjet e PS-së, ku kemi fituar, humbur, rrëzuar, jemi ringritur dhe kemi vijuar të ngjitemi bashkë.
U prefshin në paqe të gjithë ata që nuk jetojnë më, nga socialistja më e thjeshtë e deri tek Bashkimi. Jam i bindur se Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur dhe është krenare për të bijën. Faleminderit për të gjithë, që na kanë dhënë vota, aq sa për të na bërë partinë më të votuar në vend. Faleminderit socialistëve, që nga 2005 më kanë dhënë privilegjin, që të drejtoj PS-në, që e kemi rritur dhe ngritur në nivelin e misionit historik të Shqipërisë 2030. Ndjesë kujtdo që në këtë rrugë është ndjerë i mënjanuar. Dua të kujtoj Gramoz Ruçin, që më është bërë si vëlla në këtë rrugëtim”, tha Rama.
Edi Rama vlerësoi edhe Ruçin për dorëheqjen, duke u shprehur se ai kishte qenë siguria për kryetarët e PS-së.
Ta pranojmë me respekt vendimin e tij. Është art më vete të zbresësh nga politika, dashtë Zoti ta kem edhe unë dhuntinë e këtij arti. Të jam mirënjohës për çdo nxitim që mund të kem pasur. Sinqerisht faleminderit miku im, për këshillat. Ruçi ka kaluar me dy kryetarë, për 30 vjet ka vënë në radhë KPD-ja, grupe, ka mbledhur Asamble etj. Gramoz Ruçi hoqi i pari fjalën “shoku” dhe futi atë “zoti”. Ruçi na ka dhënë siguri ne kryetarëve. Gramozi ishte i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime. Të falënderoj nga thellësia e zemrës, i dashur Gramoz”, u shpreh Rama.