Pak ditë më parë në Greqi u godit një bandë shqiptare e kokainës, që furnizohej në Holandë dhe e trafikonte në Athinë dhe Mykonos.
Grupi i strukturuar kriminal u shkatërrua pas një hetimi disa mujor të agjentëve. Përgjimet, ndjekjet e lëvizjeve dhe metodat e tjera të përdorura nga autoritetet greke i dhanë fund funksionimit të grupit, që drejtohej nga një trafikant shqiptar i skeduar në dosjet greke.
Mediat greke kanë zbuluar pjesë nga dosja, inicialet e shqiptarëve të arrestuar, shumat e eurove të sekuestruara, dozat e kokainës, fotot nga aksioni, të siguruara me dron, mjetet e përgatitjet së lëndës narkotike për shpërndarje, por mbi të gjitha edhe listën me disa emra shqiptarë si; Landi, Rrushi, Rino, Klajdi, Fero, Agori dhe përbri shumat e eurove.
Një nga të arrestuarit me inicialet N.K. 30 vjeç lëvizte me motor për të komunikuar me grupin. Autori i dytë, i cili mori pjesë në trafikun e kokainës është me inicialet M.R. i cili ishte arrestuar edhe dënuar më parë për trafik droge.
Një anëtar tjetër i bandës me inicialet I.T. zhvillonte takime në pjesë të ndryshme të Athinës, ndërsa shtëpia e tij përdorej nga anëtarët e grupit si bazë.
Nga “zbërthimi” i telefonit, policia gjeti hartën e itinerarit të ndjekur nga banda për të marrë drogën nga Holanda për ta shpërndarë më pas në Athinë dhe Mykonos. /abcnews