Nga Ylli Pata
Mediat e qarqeve pranë Sali Berishës, e veçanërisht televizioni i familjes së tij, ka ndërmarrë prej kohësh një sulm kundër SHBA, e veçanërisht ambasadores Yuri Kim.
Një sulm, që nuk ka asnjë logjikë politike, një sulm që nuk ka asnjë lajm mediatik, nuk sjell asnjë të re në debatin publik, veçse mundohet të karikaturojë situatën, normalisht për interesa të tyre.
Adi Krasta, dy ditë më parë hartoi një emision totalisht të personalizuar kundër Yuri Kim, një emision që natyrisht pati edhe objektivin për ta quajtur reformën në drejtësi një dështim, e ky dështim, në kontekstin që solli Krasta, është faji i amerikanëve që e mbështesin reformën.
E personalisht, Krasta në televizionin e familjes Berisha, është marrë frame për frame për ta kundërshtuar, sulmuar ambasadoren amerikane në Shqipëri.
Një nismë e dukshme që kundërshton politikën e qeverisë amerikane, pasi kjo e fundit e mbështet si reformën në drejtësi, ndaj edhe të gjithë ambasadorët e saj e përkrahin fort këtë angazhim.
Gjithsesi, në një mjedis të lirë, secili mund të thojë ç’të dojë, madje edhe të kritikojë amerikanët, që janë shteti që promovojnë kritikën e akuzat ndaj zyrtarëve.
Megjithatë, logjika e Krastës ishte pikërisht ajo që PD ka bërë që nga fillimi i reformës në drejtësi.
E duam, po s’na pëlqen. E votuam, po të mbajmë Tik Llallën, të tjerët janë komunista e soroistë.
Krasta intervistoi dy juristë, të cilët që në fillim kanë qenë skeptikë për reformën në drejtësi: Sokol Hazizajn e Ledio Bjankun.
Të dy, që në fillim nuk kanë qenë fare pro mënyrës dhe logjikës së reformës në drejtësi.
Hazizaj, madje mbron idenë se reformë ka qenë ajo që ka ndodhur në vitet 2000 kur u krijua Gjykata e Krimeve të Rënda etj etj, e kur Qeverinë e drejtonte Ilir Meta, i cili shkarkoi edhe kryeprokurorin e Republikës në aleancë me Sali Berishën, pikërisht kur kishte nisur të hetonte afera të qeverisë.
Të kritikosh një ambasadore të SHBA mund të jetë edhe një gjë normale në aspektin e mendimit të lirë, por që logjikisht është ujë në hava, pasi Ambasada përfaqëson Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Edhe ambasadori Donald Lu, edhe ambasadorja Yuri Kim, thuajse kanë pasur të njëjtin qëndrim ndaj reformës në drejtësi, pasi ka një angazhim të Qeverisë amerikane për të.
E realisht, nuk ka si të jetë ndryshe.
Po atëherë, përse sulmohet SHBA, ambasadorja apo edhe zyrtarë të tjerë që kanë sharë “mbretin”, me një fjalë Doktorin?
Logjikë politike nuk ka si të ketë, pasi politikisht nuk ka përse të hapet një betejë me SHBA, pasi edhe vetë PD-ja thotë se është me Amerikën.
A bëhet fjalë për “fakte”? Për të rrëzuar akuzën e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Sali Berishës?
Përse mediat e familjes nuk bëjnë atë që mund të jetë më e sinqertë; ta mbrojnë me fakte dhe argumente njeriun që duan ta mbrojnë?
DASH thotë se “Në funksionin e tij si kryeministër i Shqipërisë, Berisha është përfshirë akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve”.
Le ta kundërshtojë këtë akuzë, duke sjellë fakte, kur Berisha nuk është përfshirë në akte korruptive dhe nuk ka penguar drejtësinë, pra nuk ka shantazhuar prokurorët për llogari të familjarëve dhe aleatëve të tij.
Duke sjellë të paktën dokumente, deklarata të Berishës gjatë kohës kur ka qenë kryeministër, kur ai ka mbrojtur prokurorët gjatë procesit për rastin e Remzi Hoxhës, gjatë procesit për Gërdecin, procesit për Fazlliçin apo edhe 21 janarin.
Le të sjellë intervista të prokurorëve të kohës që kanë hetuar këto çështje, ose të paktën oficerë të policisë gjyqësore që i kanë ndjekur dosjet.
Sekretari i DASH Antony Blinken, deklaroi dje hapur në një dëgjesë në kongres, se Departamenti është i hapur për çdo gazetar që do të kërkojë hollësira të vendimit për Berishën.
Përse nuk akreditohet një gazetar e ta investigojë çështjen, por paguhen kongresmenë e lobistë në media periferike për të hedhur zhurmë?
Duket gjithçka është e qartë: kërkohet se jemi në fillim të një serie sulmesh për të krijuar një anti-amerikanizëm tek një pjesë radikale e PD-së, që të shërbejë më pas si një bërthamë për të mbrojtur Berishën në rast se i hapet dosja nga SPAK.
Kur Sali Berisha arrestoi Fatos Nanon në vitin 1993, kreu i PS-së për kohën akuzoi ambasadorin amerikan në Tiranë, Rajerson dhe diplomatin Chris Hill se kanë ndikuar në arrestimin e tij.
Pasi gjërat u sqaruan, Nano u detyrua ta përgënjeshtrojë këtë akuzë të nxjerrë në kushte emocionesh të forta.
Pasi Nano jo vetëm lidhi marrëdhënie të forta me SHBA dhe hyri në Shtëpinë e Bardhë në 2003, por ishte SHBA që arrestimin e tij e konsideroi si “politik”.
Logjika provinciale e politikanëve shqiptarë, sidomos sot kur gjërat janë kret të hapura në një botë globale nuk kanë sens.
TemA