Kjo e martë shënon ditën e fundit të mësimit për këtë vit shkollor, i cili u zhvillua mes prezencës fizike dhe procesit online për shkak të kufizimeve të pandemisë. Drejtuesja e ekipit lëndor për arsimin fillor në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” tregon sfidat me të cilat u përballën mësuesit gjatë kësaj periudhe.
“Në fillim të vitit u përballëm me vështirësitë e planit mësimor, të cilat u dhanë të unifikuara dhe mësuesi duhet të ishte shumë i angazhuar që të bëhej një realizim i plotë i programit mësimor. U përballëm me oraret mësimore të cilat do të zhvilloheshin në dy turne, arsimi fillor e zhvillonte mësimin fizikisht në klasë dhe këto patën vështirësitë e veta, pastaj ai i mesëm i ulët kishte për detyrë zhvillimin e mësimit në dy mënyra, edhe fizikisht edhe online, gjë që kjo për drejtuesit e shkollave pati vështirësi, të cilat me angazhimin e tyre dhe me përfshirjen e stafit të mësuesve, u realizua me sukses.”
Gjatë vitit ka patur edhe raste të infektimit të stafit arsimor, qe u zëvendësua nga mësues shtesë.
“Stafi i organizatorëve pati vështirësi për zëvendësimin e mësuesve që patën këto problematika shëndetësorë, por megjithatë u zëvendësuan me staf të ardhur nga ZVA-të e qytetit.”
I vështirë ka qenë edhe organizimi i aktiviteteve jashtë klase, të cilat kanë qenë të kufizuara, por nuk kanë munguar. “Kjo nuk na ka penguar në realizimin e planit mësimor, zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, si sportive, artistike, apo zhvillimit profesional të mësuesve.”
Maturantët dhe nxënësit e 9-vjeçares janë të vetmit që nuk e kanë mbyllur akoma ciklin e këtij viti pasi kanë për të dhënë provimet shtetërore gjatë muajit qershor.
/b.h