Banorët e fshatit Lumas në Kuçovë vijojnë protestat kundër shfrytëzimit të ujit të burimit të Sinecit për ndërtimin e një ujësjellësi.
Ata janë konfliktuar fizikisht me policinë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë pasi kanë tentuar të kalojnë kordonin dhe të ndalojnë punimet që po kryente firma zbatuese për hapjen e kanalit.
Teksa ishin mbledhur të gjithë për të protestuar, një banore nisi të bërtiste: “Ja ku jam, më vrisni se jam e vrarë se dua të ushqej fëmijët.”
Disa prej tyre kanë rrëfyer se kanë përjetuar edhe dhunë fizike nga forcat e policisë dhe kanë shenja në trup dhe kanë bërë denoncim në prokurori. “Kam ndejtur 2 ditë shtrirë. Kam bërë denoncim në prokurori, na shtiri me shqelma, na mori zvarrë si të ishim plehra”, tha njëra prej tyre.
Ndërsa një tjetër banor rrëfeu se edhe gruan e tij e kanë zhveshur dhe e kanë tërhequr zvarrë: “Kërkojmë të drejtën tonë, ai burim është nga Perëndia, jo ta fusim në dhe e ta fshehim. Iku koha e Enver Hoxhës. Jam socialist prej 30 vitesh dhe pasurinë nuk ma kanë marrë, e dinë të gjithë. E shikoni këtë person, edhe vulat i ka gruaja im në trup, e kanë zhveshur në darkë, e kanë tërhequr zvarrë. Ky person do të përballet me fëmijët dhe nipërit tanë.”
Gjatë protestës janë shoqëruar dhe disa banorë të zonës. Të dëmtuar kanë ngelur dhe tre persona të cilët janë transportuar me ambulancë drejt spitalit të Kuçovës.
/b.h