Nga Artur Ajazi
Edhe pak ditë, dhe anëtarësia (pjesa e njëanshme) e Partisë Demokratike do të votojë për kryetarin e ri të asaj force politike. Zigzaket dhe lëkujdjet e qëndrimeve kontradiktore të kryetarit në detyrë Lulzim Basha, duket se nuk i kanë lënë hapësirën e duhur dhe reale emrave të tjerë, që mendojnë se “duke rivalizuar Bashën, krijojnë shansin e moderimit dhe demokratizimit të partisë”. Por në fakt pavarsisht deklaratave dhe aspekteve të veçanta që kemi parë deri sot në të ashtuquajturën “fushatë”, në 13 Qershor vendoset përfundimisht jo vetëm fati, por edhe dinjiteti i nëpërkëmbur i Partisë Demokratike. Vendoset ecuria normale dhe reformimi i saj, vendoset afrimi apo rrjedhja masive e anëtarësisë, vendoset funksionim, hapja apo mbyllja e saj. Në PD ka kohë që “gatuhet një çorbë” e fëlliqur, ka kohë që thurret një skenar i pastër për shpartallimin e saj, dhe i vetmi që është i interesuar për çuarjen deri në fundt të atij misioni, është pikërisht zoti Basha. Mungesa e transparencës, e besimit dhe zbatimit të kodit moral pas humbjes, mungesa e veprimit mëse normal i dorëheqjes pas 25 Prillit, ka sjellë një situatë të pashpresë për vazhdimin ose jo, të asaj partie në rrugëtimin e gjatë të reformimit. Edhe mesazhet e Kadillit, Shehajt apo Harxhit për “t’u ndarë nga rruga e vjetër”, janë thjesht shashka tymuese, që veç çorodisin më tej anëtarësinë e zemëruar nga Basha.
Ata duhet ta dinë, se fushata e tyre nuk kishte pikën e interesit për bazën e partisë, derisa në krye të saj është ende Lulzim Basha, derisa ata nuk dinë numrin e saktë të votuesve në degët e rretheve, apo dhe se takimet e tyre të deritanishme, nuk prodhuan asgjë ndryshe për ti ndryshuar gjërat e vjetra. Lulzim Bashës as që i intereson, se rivalët e tij deklarojnë se “do të ketë surpriza për kryetarin humbës”, as që i intereson se pas 13 Qershorit kur ai të rikonfirmohet “kryetar” ata do të dalin në konferenca shtypi dhe do të hedhin akuza. Atij i intereson fitorja me 99 për qind të votave, dhe kaq. Lulzimi as që merakoset katandisjen për dinjitetin mizerabël të Partisë Demokratike, për largimet dhe qëndrimet e ashpëra të anëtarësisë. Ai e ka vendosur, do të ribëhet kryetar me votat e “besnikëve” dhe do të mbetet i tillë edhe për 4 vitet e ardhshme. Madje pas “fitores”, ai thuhet se do të shpallë “non-grata” në SHQUP rivalët, duke i mohuar atyre ndoshta edhe qëndrimin si anëtarë të thjeshtë të asaj partie.
Skenari përfshin edhe Bujar Nishanin, i cili është në listë i pari për tu larguar edhe nga posti i kryetarit të Këshillit Kombëtar. Rraprezalja do të skartojë shumë nga emrat e vjetër dhe të rinj, që u bashkuan në grupimin “kundër kryetarit”, edhe pse Lulzimi në dukje, ka marrë të tjera këshilla nga Doktori. Nën moton e “masakrës zgjedhore”, Lulzimi po përmbyll fushatën e rradhës, për tu ribërë kryetar partie, edhe pse ka humbur përballë Ramës 5 palë zgjedhje, dhe se duhej të ishte larguar me dinjitet nga ai post. Lulzim Basha nuk ka ardhur në PD për të qenë kryetar dinjitoz i saj, pasi ai po e përdor atë, si biznes privat për të vehte dhe klanin e tij që nuk kanë asnjë lidhje me të djathtën, lirinë dhe demokracinë.