Presidenti Ilir Meta ishte këtë të premte në Elbasan për të marrë pjesë në një festë fetare. Ky aktivitet zhvillohet disa ditë përpara mbledhjes së seancës së Kuvendit ku pritet të vendoset për shkarkimin e kreu të shtetit. Dhe ky fakt nuk u shpëtoi gazetarëve të pranishëm, të cilët në një prononcim të Presidentit Meta e pyetën nëse gjatë ceremonisë kishte bërë një lutje për seancën e së mërkurës që të mos shkarkohet.
Kreu i shtetit e mohoi diçka të tillë dhe tha se lutja e vetme është që “Zoti i faltë ata që nuk e dinë çfarë bëjnë dhe t’i udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës së përbashkët”. Sipas Presidentit çështja më e rëndësishme për momentin është që të hetohen krimet zgjedhore.
Gazetarja: Pamë që u bëtë pjesë e gjithë ceremonisë, erdhët përqark kishës, ka nga ata që mendojnë se mos është një lutje e Presidentit për t’i shpëtuar shkarkimit pas 5 ditësh që do të kemi dhe mbledhjen e Kuvendit? Ishte një lutje?
Ilir Meta: Nuk ekziston asnjë lutje e tillë. Lutja është Zoti i faltë ata që nuk e dinë çfarë bëjnë dhe t’i udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës së përbashkët. Besoj se është një përgjigje e qartë. Kam ardhur këtu për t’iu bashkuar këtij mesazhi bashkëjetese të gjitha besimeve të ndryshme dhe popujve të ndryshëm. Besoj se kjo është shumë e qartë.
Gazetarja: Jeni i bindur se do jeni President deri në 2022 kur mazhoranca ka pjesën e votave për t’ju shkarkuar?
Ilir Meta: Nuk dëshiroj të flas në një vend të shenjtë për çështje që nuk ekzistojnë. Që do të thotë se kjo tema e shkarkimit nuk është më tepër, pas 25 Prillit dhe aq më tepër kur është konfirmuar gjithçka që ka thënë presidenti edhe përpara 25 Prillit ku u tregua qartë se Kuvendi i 2 viteve të fundit ishte pa opozitë dhe sot është 3 herë më antikushtetuese se sa ka qenë. Nuk kam asnjë shqetësim të tillë. Nëse doni të merreni me gjë serioze merruni me hetimin e krimeve zgjedhore para 25 Prillit, 25 Prill dhe pas 25 Prillit. Kjo është më e rëndësishme për të gjithë sepse në një vend demokratik qytetarët duhet të jenë të sigurt që vota e tyre është e barabartë dhe nuk tjetërsohet. Të gjithë duan të jenë të barabartë dhe barazia garantohet kur vota është e tillë, e barabartë. Kur dikush voton disa herë dhe të tjerëve u mohohet e drejta e votës, ku vota nuk mund të dalë qëllimisht e pavlefshme dhe ku vota është gjëja më e rëndësishme që ka një qytetar në demokraci sepse çdo e drejtë e tij kushtetuese është e garantuar kur barazia e votës është garantuar. Kjo është çështja më e rëndësishme ndërsa çështjet e tjera nuk kanë asnjë rëndësi për momentin.
/a.r