Heqja e aboneve të përgjithshme nga tregu për tre muajt e verës ka sjellë pakënaqësi te qytetarët për shkak të rritjes së kostove familjare. Por Bashkia e Tiranës ka deklaruar se zgjodhi këtë periudhë për të bërë studimin për ristrukturimin e shërbimit të transportit duke patur parasysh se urbanët përdoren më pak. Abonetë rikthehen në Shtator, kohë kur nisin edhe shkollat.
“Situata e COVID-19 ka shkaktuar problematika në të gjithë sektorët e ekonomisë, por padyshim sektori i transportit është ndër më të goditurit.Zgjodhëm periudhën e verës që është periudha me më pak ngarkesë. Personat të cilët përdorin transportin publik të bëhen gati për muajin Shtator, qoftë për mënyrën si do të organizojmë shërbimin, por edhe për mënyrën si do t’i shpërndajmë abonetë e përgjithshme në raport me të gjithë operatorët”, tha drejtori i transportit, Enton Punavia.
Drejtori i transportit në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavia është shprehur se organizimi i linjave të transportit urban nuk sjell rritje të çmimit të biletës.
“Riorganizimi i shërbimit nuk do të prekë çmimin e biletave apo të aboneve”.
Me fillimin e muajit Qershor Bashkia e Tiranës u ka kërkuar operatorëve që operojnë në këto linja të punojnë me kapacitet të plotë transportues.
/a.r