Në nisje të sezonit turistik, Policia Bashkia e Durrësit ka ndërmarrë një aksion për heqjen e objekteve të paligjshme të vendosura në rërë apo trotuareve. Bëhet fjalë për tabelat metalike, mini-bare, kënde lodrash, etj.
“Prej të hënës ne kemi filluar punën për heqjen e të gjitha lodrave, objekteve, vazove, gardheve etj. që ishin bërë pengesë dhe ishin pa leje dhe zinin hapësirën publike. Theksoj se ne do vazhdojmë punën. Nuk ka një afat. Gjatë gjith sezonit turistik do të jemi në punë me shërbimet tona”, tha drejtori i Policisë Bashkiake Durrës, Vasip Çopa.
Ndërkohë nuk është ndërhyrë për çadrat sepse ende nuk janë miratuar plazhet private dhe publike nga ana e Bashkisë së Durrësit.
“Hartat janë në proces. Subjektet që kanë aplikuar do pajisen me kontratën. Kështu që ne do të zbatojmë hartën që është miratuar. Sa është plazh publik dhe sa privat”, shtëpi ndër të tjera, drejtori i Policisë Bashkiake Durrës, Vasip Çopa.
Teksa zhvillohej ky aksion, Kryeinspektori i Mbrojtjes së Territorit për Durrësin, Dorian Mema tha se shpejti do të shemben godina disakatëshe që janë ndërtuar pa leje, sidomos tek Plazhi i Vjetër.
“Kemi dërguar informacion pranë IKMT tiranë për objektet pa leje. Në zonën e plazhit nuk ka shumë objekte pa leje, por jashtë Durrësit ka”, tha shefi i IMT Durrës, Dorian Mema.
Vetëm një ditë më parë Kryeministri Edi Rama paralajmëroi shembje masive të objekteve pa leje përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Shëngjini në Ksamil. Ky aksion pritet të nisë të hënën e ardhshme.
g.kosovari