Një aktivist në Bjellorusi e ka prerë fytin e tij gjatë një seance gjyqësore. Ai e bëri veprimin pasi u paralajmërua që nëse nuk deklarohet fajtor për pjesëmarrje në protesta, familja dhe fqinjët e tij do të përballen me ndjekje penale. Aktivisti, Stsyapan Latypau ka qenë në paraburgim që nga shtatori i vitit 2020. Pasi preu fytin në seancën gjyqësore më 1 qershor ai u dërgua me urgjencë në spital. Mediat lokale thanë se ai është ende gjallë.
“Baba, pasi u takuan me ty, GUBOPiK (Drejtoria Kryesore e Ministrisë së Brendshme për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit] erdhën tek unë dhe më paralajmëruan se nëse nuk e pranoj fajin tim, atëherë do të më vendosnin në një qeli me kriminelë dhe do të ndiqnin penalisht të afërmit dhe fqinjët e mi”, tha ai në gjykatë para se të printe fytin. Pamjet treguan se ai po transportohej përmes një autoambulance nga salla e gjyqit dhe gjaku kishte përfshirë rrobat dhe fytyrën e tij. Sipas mediave lokale rojet brenda sallës vepruan ngadalë për të hapur qelinë ku ndodhej ai, pasi nuk mund të gjenin çelësat.
Në momentin kur ai u nxor nga salla, veçse e kishte humbur vetëdijen. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka reaguar udhëheqësja e opozitës bjelloruse. “Ai është kërcënuar se nëse nuk e pranon fajin familja e tij do të përballej me përndjekje. Ky është rezultat i terrorit shtetëror, shtypjeve, torturave në Bjellorusi. Ne duhet ta ndalojmë këtë menjëherë!” tha udhëheqësja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya.
Aktivisti Latypau u arrestua më 15 shtator të vitit 2020, derisa po përpiqej të ndalte policinë dhe punëtorët që të pikturonin mbi një murale ku ishin të vendosura ngjyrat kuq dhe bardhë që simbolizojnë opozitën. Ai u akuzua për organizim të protestave dhe rezistencë ndaj arrestimit. Gjithashtu autoritetet e akuzuan atë se ka planifikuar të helmojë pjesëtarët e policisë. Ai ka mohuar gjitha akuzat. Latypau është një nga dhjetëra mijëra bjellorusët që janë arrestuar pas fillimit të protestave që u nxitën nga zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në muajin gusht të vitit 2020.