Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s që u mbajt sot virtualisht është shprehur se Shqipëria mbetet e përkushtuar për sigurinë kolektive. Po ashtu ministrja theksoi se vendi ynë mbështet konceptin e ri strategjik të nismës NATO 2030.
Shefja e diplomacisë shqiptare, paraqiti edhe qëndrimet mbi çështjet e rëndësishme të vizionit NATO 2030, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të unitetit dhe kohezionit të Aleancës.
“Ka ardhur koha që qasja e NATO-s drejt Ballkanit Perëndimor të strukturohet dhe konsolidohet në një strategji të duhur të aleancës në rajon”, nënvizoi ajo
Takimet e Ministrave të Punëve të Jashtme dhe atyre të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i paraprijnë përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Aleancës, i cili do të mbahet më 14 qershor në Bruksel.
Ky samit pritet të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet transatlantike, duke dhënë një mesazh të vendosur mbi unitetin dhe kohezionin transatlantik, si dhe të marrë vendime strategjike mbi adaptimin e NATO-s në të ardhmen.
/a.r