Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ shqyrton sot kërkesat ankimore për 3 qarqet e fundit që kanë mbetur, respektivisht Korçën, Elbasanin dhe Fierin.
Avokati i PD Marash Logu kërkoi sot marrjen e provave shtesë nga institucionet lidhur me zgjedhjet në Korçë, qark për të cilin ai ngriti akuza ndaj disa drejtuesve të PS-së.
Logu foli në mbledhjen e KAS për blerje votash nga 100 deri në 300 euro, ndërsa iu referua një skeme ku sipas tij ishin të përfshirë ministri Peleshi, kryebashkiaku Filo, dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
“PD ka parashtruar para këtij komisioni se shtetasit Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes dhe deputet i PS-së, Blerina Gjylameti deputete e PS-së, Sotiraq Filo, kryetar i bashkisë Korçë, Kletiona Kita, nënkryetare e bashkisë Korçë, Ilir Bajlozi drejtor i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Besa Spaho, drejtore e Agjencisë së Kadastrës në Korçë dhe kandidate për deputete e PS, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, drejtues lokal, përfaqësues të PS, individë të skeduar me rekorde kriminale, kishin ngritur një skemë nëpërmjet parave, ndihma ushqimore, kupona të kartave të identitetit etj. Ndaj këtyre shtetasve PS ka depozituar tre kallëzime penale për veprat penale korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, shpërdorimin e detyrës, marrjen e paligjshme të dokumentit të identifikimit dhe kanosjen në zgjedhje. Krahas blerjes së votave nga 100 deri në 300 euro ne kemi parashtruar para këtij komisioni se u shpërndan ndihma ushqimore për familjet në nevojë apo përfitime të tjera”, tha Logu.
g.kosovari