Nga Mero Baze
Problemi që kanë kandidatët për kryetarë të PD me Sali Berishën, nuk është se nuk duan të bëjnë çfarë do Sali Berisha. Problemi është se Sali Berisha do që ata të bëjnë atë që do ai, por pa ua thënë ai. Pra duhet ta kuptojnë vetë, pasi ai nuk do t’i ketë borxh asnjërit prej tyre në këtë histori.
E para që e ka kuptuar këtë është Edit Harxhi dhe grupi që e mbështet. Bujar Nishani si zëdhënës i këtij grupi, në fakt ja ka kompletuar Berishës dëshirat që ka për modelin e kryetarit të radhës. Të jetë luajal me Berishën, të denoncojë tradhtarët që lëvizin nga pozicioni dhe të bëjnë sikur bëjnë garë me rregulla demokratike.
Kjo nuk do të thotë që Berisha do mbështesë Edit Harxhin deri në fund, por është duke treguar si duhet të sillen të tjerët. Kjo e ka frustruar disi Lulzim Bashën dhe dje hodhi poshtë insinuatën e Bujar Nishanit, se ai ka shitur Berishën tek SHBA, duke e quajtur shpifje të neveritshme.
Por nuk tha gjë më tej. Biles më tej, ai tha se PD është mbi të gjithë, dhe mbi Berishën. Kjo nënkupton që Basha deri më 13 qershor ka betejë vetëm me ata që mund të shtojnë dyshimet se ai po tradhton Sali Berishën. Pas 13 qershorit, ai do të fillojë betejën për të rikuperuar imazhin e tij tek SHBA, duke u distancuar nga Berisha dhe duke shtuar kontaktet me SHBA. Por kur është momenti që Basha do të sulmojë Berishën? Ky moment mund të mos vijë kurrë, nëse Berisha nuk sulmon Bashën. Dje Sali Berisha ju afrua shumë pikës së sulmit.
Përmendi si të papranueshme afrimin e zgjedhjeve më 13 qershor, përmendi mungesën e analizës së humbjes dhe defekte të tjera të garës. Por kjo jo doemos, është një sulm i sinqerte ndaj Bashës. Në zgjedhjet e PD më 2017, ai në konfidencë i tha Eduard Selamit se do mbante përgjegjësi që kishte legjitimuar vjedhjen e votave në PD nga Basha, por në fakt vetë ishte në anën e Bashës.
Kështu që edhe këtë herë mund të përsëritet kjo hipokrizi. Fakti që Basha ju përgjigj menjëherë sulmit të Berishës duke sulmuar Nishanin, tregon se Berisha duhet të matet mirë nëse vendos ta sulmojë. Mbi të gjitha tregon se Basha mezi po pret ta sulmojë..
Kjo ja lehtëson punën dhe me Berishën, dhe me të vetët, dhe me SHBA. Është rasti që humbet ai që sulmon i pari. Dhe Basha po lutet të jetë Berisha ai që duhet ta bëjë.