Sistemi satelitor kinez i navigimit global “Beidou” po përdoret nga klientët në më shumë se 120 vende e rajone të botës pas hyrjes në funksionim zyrtar në korrikun e vitit të kaluar, ndërsa po shpejtohet procesi i përfshirjes së këtij sistemi në Organizatën Ndërkombëtare të Standardizimit (ISO). Kështu u bë e ditur të mërkurën në konferencën e 12-të vjetore të navigimit satelitor të Kinës.
Sipas z. Yang Jun, zv.drejtor i Zyrës së Menaxhimit të Sistemit “Beidou”, deri tani në kuadër të këtij sistemi navigimi global po funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme 45 satelitë.
“Saktësia e pozicionimit e ‘Beidou’-t mund të arrijë brenda 2.5 metrash horizontalisht dhe 5 metrash vertikalisht. Sistemi ka pasur rezultate të larta me tregues idealë, 99.996% në vazhdimësinë e funksionimit dhe 99.934% në përdorueshmërinë e informacionit. Mund të themi se ‘Beidou’ ka arritur nivelin e parë botëror qoftë nga ana teknike, ashtu edhe e menaxhimit dhe e shërbimeve”, tha z. Yang.
Ai shtoi se, krahas përshpejtimit të punës përgatitore për përfshirjen në ISO, sistemi kinez i navigimit global po aplikon për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare të aviacionit, të detarisë etj.