Në 21 tetor të vitit 1995, në Tiranë do të ndodhte një prej ngjarjeve më të rënda që u tentua të fshihej nga pushteti i kohës.
Biznesmeni nga Kosova Remzi Hoxha, i njohur si aktivist i çështjes kombëtare, u rrëmbye nga Shërbimi Informativ Kombëtar, u torturua deri në vdekje dhe trupi i tij u zhduk për të mos u gjetur kurrë. Ky është një skandal që e ka shoqëruar karrierën 30-vjeçare të Sali Berishës, edhe pse ai kurrë nuk ka pranuar të ketë pasur dijeni për këtë ngjarje.
Në fakt, prokurorët që kanë zbuluar që në atë kohë autorësinë e SHIK-ut të Bashkim Gazidedes rrëfejnë se u penguan nga krerët e shtetit t’i shkonin deri në fund çështjes.
“Unë e kam hetuar çështjen e Remzi Hoxhës, kemi grumbulluar prova dhe kemi arritur në përfundimin që Remzi Hoxha ishte rrëmbyer nga autoritetet e Shërbimit Sekret Shqiptar. Hetimet u bllokuan si pasojë e presionit politik. Mbrojtes së hapur që iu bë autorëve të krimit direkt dhe indirekt nga zyrtarët më të lartë të asaj kohe” u shpreh Shkëlqim Hajdari, Ish-Kryeprokuror i Apelit
Ngjarja u zbardh vetëm pas disa vitesh nga prokurori Xhevat Hana. Ai, u sëmur krejt papritur teksa çështja po i afrohej fundit të gjykimit. Familjarët e Hanës kanë ngritur dyshime mbi vdekjen. Po e dyshimtë ishte edhe vdekja e Budjon Meçes, efektivit të SHIK që ishte i fundit që pa gjallë Remzi Hoxhën.
“Është e provuar që autoritetet e shtetit shqiptar janë përfshirë në këtë ngjarje. Por se sa, qysh tek dhe nëse është përfshirë direkt Sali Berisha në këtë ngjarje duhen prova” u shpreh Shkëlqim Hajdari, Ish-Kryeprokuror i Apelit
Me zhdukjen e Remzi Hoxhës ka fije që lidhet edhe vrasja e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ali Uka në Korrik të vitit 1997 në Tiranë.
“Gjithshtu është enigmatike vrasja e Aliut sepse qëndroi deri në orët e vona me këshilltarë të Berishës dhe në mëngjes u gjet i vdekur nga një i afërm i tij që u akuzua në Tiranë por me urdhër të Berishës u lirua shumë shpejt nga burgu, drejt Zvucrës dhe sot e kësaj dite nuk është dënuar” u shpreh Hashim Thaçi, Ish-Komandant i UÇK-së
Referuar një bisede me Ali Ukën, ish presidenti Thaçi ka deklaruar 2 vite më parë për Top Story se ka të dhëna për një takim mes ish kreut të SHIK Gazidede, dhe paramilitarit serb Arkan.
“Ndërsa për të implementuar marrëveshjen mes Berishës e Millosheviçit për furnizimin me armatim, sipas Aliut e burimeve të tjera kishte qëndruar në Shqipëri edhe Arkani, në Fushë Krujë e Shkodër” u shpreh Hashim Thaçi, Ish-Komandant i UÇK-së.
/a.r