Gazetarja Klodiana Lala ka folur sot lidhur me ekzekutimin e Delon Troqes, duke u shprehur se po hetohet në disa pista.
Duke folur për emisionin “Opinion” në “News 24” gazetarja tha se hetuesit dyshojnë se urdhri për ekzekutimin mund të ketë ardhur nga Spanja. Po ashtu Lala shprehet se ka dyshime se mund të ketë një lidhje mes vrasjes së Troqes dhe Bledar Birçajt.
“Prokuroria ka disa pista. Kishte tre javë që ishte kthyer nga Spanja në Vlorë. Sytë e hetuesve janë drejtuar në Spanjë dhe janë duke e lidhur me çështjen e trafikut të drograve të forta. Në Spanjë ka grupe personash që janë nga Vlora apo na Fieri. Nuk ishte një personazh që kishte rekorde, kishte qenë në burg por jo për rekorde kriminale.
Hetuesit dyshojnë se urdhri për ekzekutimin e tij mund të ketë ardhur nga Spanja. Dyshimet janë për përfshirje në çështjen e drograve të forta. Troqe në Shqipëri kishte vetëm një aktivitet ku bënte shërbime me skafin e tij për turizëm. Nuk kishte ndonjë rekord tjetër apo konflikt të fundit. Është zgjedhur një orar që nuk ka pasur lëvizje. Autorët e kanë njohur zonën. Mund të kenë vepruar edhe kundrejt pagesës”, shprehet Lala.
Gazetarja thotë se nuk ka dyshime të forta se ekzekutimi mund të lidhet me ngjarjen e zhdukjes së kushëririt të viktimës.
“Hetuesit besojnë se ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Të dhënat e deritanishme nuk flasin për të dhëna të drejtpërdrejta. Kjo është një tjetër pistë ku po qëndrojnë hetuesit, por deri më tani të gjitha rrugët po i dërgojnë drejt Spanjës”, thotë ajo.
Lala thotë se hetuesit dyshojnë se ekzekutimi i Troqes mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Bledar Birçajt.
“Ka disa detaje që e bëjnë grupin e hetimit të mendojë se mund të kenë lidhje. Sapo ishin kthyer nga Spanja në të njëjtat ditë, dhe jetonin në të njëjtën zonë. Nga mënyra se si është kryer ekzekutimi tregon për një mllef dhe larje hesapesh”, tha ajo.
/b.h